Rebalanci i buxhetit para deputetëve për votim

29.10.2020 17:01

Propozim rebalanci i buxhetit për vitin 2020...

Propozim rebalanci i buxhetit për vitin 2020 hyri në fazën finale për miratim, përkatësisht u vu para deputetëve në seancë plenare në variantin final, me amendamentet e pranuara në komisionin amë.

Besimi: Qytetarë e ndërmarrje e presin rebalancin

Propozuesi i rebalancit, përkatësisht ministri i financave Fatmir Besimi, ftoi deputetët që të përkrahin rebalancin dhe të mundësojnë zbatimin e pakos së katër ekonomike.

“Qindra e mijëra qytetarë si dhe ndërmarje nga Kuvendi presin që të miratohet ky rishikim i buxhetit në mënyrë që ata të mund të përfitojnë nga masat e pakos së katërt për të lehtësuar gjendjen e tyre sociale, ekonomike dhe financiare. Në gjysëmvjetorin e parë të vitit 2020 kishte një rënie të aktivitetit ekonomik, gjegjësisht një rënie e BPV prej 6.4% si rezultat i zhvillimeve të pafavorshme në tremujorin e dytë e sidomos një rënie të BPV me 12.7%.”  - tha Ministri i Financave, Fatmir Besimi.   

LSDM: Me rëndësi është ndihma efikase dhe në kohë

Në vigjilje të fillimit të seancës, shumica parlamentare ftoi edhe deputetët e opozitës që ta përkarhin rebalancin e dytë të buxhetit për vitin 2020, pasi konsiderojnë se është jetik për zbatimin e pakos së masave ekonomike të qeverisë për përballje me pasojat e epidemisë.   

“Që nga fillimi i krizës, të gjitha institucionet, qeveria dhe institucionet me kompetencë treguan kujdesin e duhur për qytetarët të cilët janë goditur më shumë. Kjo vazhdon edhe me këtë rebalance, me këtë pako të masave ekonomike. Në periudhë kur gjithë bota përballet me krizë ekonomike, me rëndësi është ndihma efikase dhe në kohë për t’u përballë me pasojat. Prandaj, ftoj të gjithë deputetët që të tregojnë përgjegjësi, konstruktivitet dhe të miratohet rebalanci.” – deklaroi koordinator i GP të LSDM-së, Jovan Mitreski.

VMRO DPMNE: Buxhet jozhvillimor, i konceptuar keq 

Për opozitën maqedonase, buxheti është jozhvillimor dhe i konceptuar keq. 

“Kosnideroj se ky buxhet, në mënyrën se si është konceptuar, nuk do të jep rezultatet që presim. Ky është buxhet për të cilin shumica thonte se po nxiton për të shpëtuar ekonominë, ndërkaq ngeci në Qeverinë e RMV-së për pesë ditë pune. Buxhet në shumën 4.1 miliardë euro, më i madhi në historinë e Maqedonisë. Ky buxhet është jozhvillimor, është i konceptuar keq dhe do ta shty Maqedoninë në krizë më të madhe ekonomike dhe financiare, në vend që të realizojë qëllimin bazë, të pengojë atë.” – u shpreh Bojan Stojanoski nga VMRO DPMNE.

Konformë Rregullores së Kuvendit diskutimi për propozim ligjin për rebalancing e buxhetit zgjat më së shumti 5 ditë.

Me rebalancin e buxhetit sigurohen 470 milionë euro për realizimin e pakos së katërt të masave për përballje me pasojat nga virusi korona. Rreth 70 milionë euro janë destinuar për përkrahje të 83 mijë vendeve të punës përkatësisht subvencionimin e 250 mijë pagave për tre muajt e fundit të këtij viti.

Rreth 28 milionë euro janë destinuar për kartela pagesore vendore në vlerë prej 6000 denarë për disa grupe interesi me të ardhura të ulta ose pa të ardhura si dhe para për zbatimin e mbi 20 masave të tjera, të parapara me këtë pako. (Shpëtim Nuredini, TVM2)