Kulturë
Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare, Avni Mula
30.10.2020 10:25
Shuhet në moshën 92-vjeçare, Artisti i Popullit dhe Nderi i Kombit, Avni Mula...

Avni Mula lindi në Gjakovë në 4 janar të 1928, në një familje ku ishte i shtati fëmijë, më i vogli mes tre djemve dhe vajzave.Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton. Gjatë studimeve ai u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Mula. Familja Mula është një nga Familjet e Mëdha të Artistëve shqiptarë, ku të gjithë anëtarët e familjes janë artistë: Avni Mula, Nina Mula dhe dy vajzat, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, me famë botërore. Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.
Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Ai kompozoi edhe muzikën për filmat “Fejesa e Blertës“, “Karnevalet“, “Balonat “ dhe “Lumë drite“. Megjithë veprat e shumta të kompozuara, Avni Mula do të mbahet mend si kompozitori që i dha muzikës shqiptare “ Valsin e lumturisë”.
Homazhet kryhen më 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, në Tiranë. Mesazhe ngushëllimi kanë mbërritur në familjen Mula nga miqtë e tij të jetës dhe artit edhe nga politika gjithëshqiptare.
