Turqi, njoftohet për viktima dhe shumë të lënduar

30.10.2020 16:42

6 viktima dhe 120 të plagosur janë informaionet e para....

6 viktima dhe 120 të plagosur janë informaionet e para, pas tërmetit tronditës prej 6.6 ballë që goditi qytetin Izmir të Turqisë. Dhjetëra objekte atje janë shembur, ndërsa deri më tani është nxjerrë e gjallë nga rrënojat një grua.

Raportohet të jenë të shumtë personat që kanë mbetur poshtë pallateve të shembura.

Agjencia e kërkim-shpëtimit i bën thirrje qytetarëve të mos futen nëpër banesat e tyre. Pamje të kapura pak çaste pas lëkundjeve të fuqishme sizmike shfaqin pasojat shkatërruese.

Një re pluhuri ka përfshirë qytetin prej dëmtimeve apo rrëzimeve të godinave.

Sipas informacionit në faqen e internetit të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, theksohet se tërmeti u regjistrua në orën 14:51 me kohën lokale, me magnitudë 6,6 ballë në Detin Egje, 17 kilometra nga brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin Izmir.

Epiqendra e tij ishte me një thellësi 16,54 kilometra. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka publikuar një mesazh solidarizimi për qytetarët e prekur nga tërmeti.

"U uroj të shkuara të gjithë qytetarëve tanë që u prekën nga tërmeti në Izmir. Ne qëndrojmë pranë qytetarëve tanë që u prekën nga tërmeti me të gjitha mjetet e shtetit tonë. U mobilizuam me të gjitha institucionet tona përkatëse dhe ministrat tanë për të filluar punën e nevojshme në rajon", shkroi presidenti turk në Twitter.