Maqedoni

VMRO – DPMNE: LSDM e ka mjeruar shëndetësinë në vend; LSDM: Me ribalancin e buxhetit do përmirësojmë kushtet

01.11.2020 17:36

Një ditë pasi drejtori i spitalit të Strumicës përmes internetit kërkoi donacione për blerje të autoambulancave...

Një ditë pasi drejtori i spitalit të Strumicës përmes internetit kërkoi donacione për blerje të autoambulancave, reagon VMRO-DPMNE. Ky veprim sipas partisë opozitare dëshmon se LSDM e ka sjellur në gjendje të mjerueshme shëndetsinë në vend.
 
Nga VMRO thonë se pikërisht për këtë qëllim kanë parashtruar propozim amendamente me të cilat kanë kërkuar ndarje të mjeteve prej 3.5 milion denarë, por nuk janë marrë parasysh nga ana e shumicës parlamentare.  
 
“Si deputet të rajonit të Strumicës kemi parashtruar amendament të ribalancit të buxhetit, i cili është në procedurë, për ndarjen e 3.5 milion denarëve për blerjen e tre automjetevee të ambulancës në Spitalin e Strumicës, por për fat të keq para disa ditëve qeveria këtë amendament e refuzoi me arsyetimin se nuk janë të nevojshme. Është e qartë se qeveria ose nuk e din situatën me spitalin e Strumicës ose nuk dëshiron të ndihmon, vetëm se propozim amendamenti vjen nga deputetët e VMRO-DPMNE-së”, u shpreh Dajanço Eftimov nga VMRO-DPMNE.
 
Nga VMRO e cilësojnë edhe si të pafytyrë reagimin e djeshëm të deputetit të LSDM Kostadin Kostadinov i cili nëpërmjet facebookut bëri me dije se është siguruar një autoambulancë për spitalin e  Strumicës. 
 
Ndërkohë nga LSDM kanë bëjnë të ditur se me ribalancin e buxhetit janë paraparë mjete për shpërblimin e punonjësve shëndetsor si dhe për përmirësimin e kushteve të objekteve shëndetsore. 
 
"Me ribalancin e Buxhetit i cili është në procedurë parlamentare, 54 milion denarë janë ndarë për shpërblimin e të gjithë profesionistëve shëndetësorë të përfshirë në trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin Covid 19. Këto fonde do të jenë të destinuara për punonjësit e Qendrave Covid në Shkup dhe në spitalet e qyteteve të tjera në të gjithë vendin. Këto 54 milion janë pjesë e 243 milion denarëve gjithsej që Qeveria ka ndarë për shëndetsinë, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet për prokurimin e ilaçit Remedisivir, si dhe për prokurimin e vaksinave, testeve për kovid 19 dhe për nevojat e institucioneve shëndetësore publike", theksoi Sashko Nikollov nga LSDM.
 
Nga LSDM zotohen se nga viti i ardhshëm do të ketë rritje të rrogave për 10 % për punonjësit shëndetsor. 
 
Ndërkohë nga LSDM thonë se me ribalancin vëmendje e veçantë do tu kushtohet edhe sektorit të zanateve për të cilat parashikohen masa të veçanta. 
 
“Parashikohet kompensim të 60% të shpenzimeve, maksimum 30.000 denarë të bëra për blerje të mjeteve dhe lëndëve të para për aplikues. Për këtë qëllim nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë janë ndarë 15 milion denarë. Që të kemi zanate më konkuruese, veçmë nga 1 janari i vitit të ardhshëm TVSh-ja për shërbime të zanateve do të ulet nga 18% në 5%”, u shpreh Marija Gerogievska nga LSDM. 
 
ERSAN PAJAZITI