Maqedoni

Rebalanci i buxhetit, VMRO: “cunami”, paratë s’përfundojnë te qytetarët

02.11.2020 14:55

Me përplasje të shumta vazhdoi debati për rebalancin e buxhetit....

Me përplasje të shumta vazhdoi debati për rebalancin e buxhetit. Deputetët e VMRO–DPMNE-së e cilësuan si dështues dhe diskriminues dhe do të përjetojë fatin e njëjtë të masave paraprake të cilat u realizuan vetëm 50%. 

“Ne do të japim ndihmë afatshkurtër, ndërkaq shteti po mbytet në varfëri. Duhet të tregojmë me gisht për fajtorët e këtij cunami që po i ndodh Maqedonisë. Duhet të investohet në investime kapitale.”,- tha deputetja e VMRO–DPMNE-së, Bllagica Llasovska.
 
“Konsiderojmë se paratë nuk shkojnë te qytetarët dhe ndërmarrjet, andaj nuk mbështesim rebalancin I cili është diskriminues. Në pakot paraprake keni realizim të ulët prej 50%. Ose keni dështuar masat ose nuk janë aq të mira që qytetarët të aplikojnë për ato.”,- theksoi deputetja e VMRO–DPMNE–së, Zhaklina Peshevska.
 
Mazhoranca: VMRO të mos bllokojë pakon anti-krizë
 
Me qëndrime ndryshe dolën deputetët e shumicës parlamentare, duke kërkuar përkrahjen e opozitës. Sipas tyre, me politikat buxhetore synohet të ndihmohen qytetarët, ekonomia dhe shëndetësia.
 
“Nuk është koha për pikë të lira politike, për cinizëm, por për bashkëpunim, për mbështetje të pakos së katër të masave ekonomike. Kartoni juaj i gjelbër është votë për gjithë ata qytetarë, të cilëve për momentin me të vërtetë u nevojitet ndihmë, do të ruhen vendet e punës dhe do të ketë subvencione të rrogave.”,- theksoi deputetja e LSDM-së, Lidija Tasevska.
 
“Propozim rebalanci i buxhetit ka për qëllim sigurimin e vazhdimësisë së aktiviteteve të brendshme ekonomike, mbrojtjen e vendeve të punës në industritë më të prekura, rikuperimin e aktiviteteve të caktuara, stabilitetin e transferimeve sociale dhe zbatimin e politikave fiskale.”,- u shpreh deputetja e BDI–së, Fisnike Bekteshi.
 
ASh: Të merren masa serioze në buxhetin e 2021
 
Aleanca për Shqiptarët propozon që vërejtjet e opozitës të merren parasysh në projektimin e arkës shtetërore për vitin që vjen, pasi borxhi publik ka tejkaluar  60% e GDP-së.
 
“Ky tejkalim i borxhit publik, tejkalim I vijës së kuqe është një sfidë e jashtëzakonshme për çdo qeveri, Prandaj duhet të merren masa shumë serioze dhe jo masa që ndoshta do të jenë efektive për partitë politike në pushtet një kohë të shkurtër.”,- theksoi deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.
 
Me rebalancin e buxhetit, midis tjerash 283 mijë qytetarë do të duhet të marrin kartela pagesore në vlerë prej 6 mijë denarëve. Planifikohet të shpëtohen 83 mijë vende pune si dhe grande, kredi dhe lehtësime doganore për kompanitë.
 
MERAL ISMAILI