Botë

ShBA, të martën zgjedhjet presidenciale

02.11.2020 15:24

Të martën amerikanët votojnë për zgjedhjet presidenciale....

Të martën amerikanët votojnë për zgjedhjet presidenciale. Kur kanë mbetur edhe disa orë derisa amerikanët t’u drejtohen kutive të votimit, anketat flasin se kandidati demokrat Bajden kryeson anketat, por në shtetet që vendosin zakonisht rezultatin e zgjedhjeve, epërsia e kandidatit demokrat ndaj presidentit aktual Trump është më e vogël. Bajden në përfundim të fushatës është përqendruar në Pensilvani, prej ku ka shprehur bindjen se do ta mposht rivalin e tij.
 
“Çdo ditë është përkujtues i ri se sa të mëdha janë angazhimet se deri ku do të shkojë pala tjetër, që të tentojë ta shty daljen sidomos në Filadelfi. Presidenti Trump është i frikësuar nga ajo që do të ndodh në Pensilvani. Ai i njeh njerëzit këtu dhe e din se ata do ta thonë mendimin e tyre, e nëse ju e thoni fjalën tuaj, nuk ka gjasa.”,- theksoi kandidati për president të SHBA-ve, Joe Biden.
 
Ndërsa Trump brenda një dite ka mbajtur tubime në Ajova, Miçigen, Karolinën veriore dhe Florida. Përkrahësve të tij në Uashington u tha se ekonomia amerikane aktualisht po shënon rritjen më të lartë në histori, ndërsa nuk la pa thumbuar kundërkandidatin.  
 
“Kundërkandidati im premton një dimër të gjatë të errët, sa inspirative është ajo apo jo?! Mendoj se askush nuk e don Bajdenin. Unë mendoj se do ta kemi zhvillimin më të madh në historinë amerikane. Kjo është ajo që po e bëjmë ne.”,- tha presidenti aktual i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Trump njëherit paralajmëroi se nëse i fiton zgjedhjet do të shkarkojë nga detyra Anthony Faucin, ekspertin kryesor të sëmundjeve infektive në SHBA. Deri tani kanë votuar më shumë se 90 milion amerikanë, që paralajmëron përqindje të lartë të daljes së votuesve në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Për shkak të pandemisë së virusit Korona, shumë amerikanë vendosën të votojnë që para ditës së votimit, duke shfrytëzuar të drejtën që të japin votën e tyre me postë. 


GYLTENE SINANI