Maqedoni
Tetovë, u rinovua stacioni hekurudhor
02.11.2020 16:17
Stacionit hekurudhor në Tetovë, që dikur ishte çerdhe e narkomaneve dhe prostitucionit...

Stacionit hekurudhor në Tetovë, që dikur ishte çerdhe e narkomaneve dhe prostitucionit, falë investimeve të fundit tani ka marrë pamje të re.
Është lëshuar sot në përdorim Stacioni Hekurudhor në Tetovë, i cili shtetit i ka kushtuar mbi 7 milion denarë. Vozitësit e trenave ankohen se qytetarët nuk i respektojnë tej mase shenjat dhe sinjalizimet të cilat janë për gjatë hekurudhave dhe si pasojë e kësaj vinë shpeshherë edhe në aksidente.
Drejtori, Festim Halili, thotë se investimi i fundit në ketë stacion është bërë në vitet e 80-ta.
“Është ndërtuar në vitin 1952 dhe që atëherë ka pasur vetëm një intervenim në vitet e 80 ku është ndërtuar pullazi. Ndërsa ne sot kemi bërë një renovim të tërësishëm. Ky projekt ka kushtuar 7.3 milion. Është ndërtuar pullazi, është zgjedhur një problem i kamotshëm, i kanalizimit atmosferik, pasi e dimë se këtu janë mbledhur shumë ujëra, është digjitalizuar pjesa me server, ku janë vendosur kamera që do të mbulojnë 360 shkallë të pjesë publike.”,- tha drejtori, Festim Halili.
Infrastruktura e dobët ka bërë që shumë qytetarë të mos e shfrytëzojnë trenin për udhëtime. Një numër i madh i qytetarëve të anketuar thonë se nuk kanë udhëtuar ndonjëherë me trenin Shkupi-Tetova–Kërçovë dhe anasjelltas.
“Jo, asnjëherë nuk kam udhëtuar tani e 20 vite, pasi nuk ka qarkulluar në rregull.”,- u shpreh një qytetar.
“Nuk kam udhëtuar. Po nëse qarkullon në rregull, atëherë do ta lehtësonte edhe komunikacionin pasi gjithë bota është duke udhëtuar me tren është më i shpejtë.”,- theksoi një qytetar.
Ndërsa drejtuesit e trenave thonë se qytetarët duhet t’i respektojnë sinjalizimet për të evituar aksidentet në hekurudha.
“Kemi shumë problem me qytetarët, më shumë pasi të njëjtët nuk i respektojnë sinjalizimet. Shumë herë sinjalet ndizen për t’u ndalur, ata nuk i respektojnë. Mua personalisht më ka ndodhur para 5 ose gjashtë muajve që në ndalesën e Sarajit një golf 5 e godita, nuk munda të ndaloj.”,- u shpreh Qamil Qerimi - vozitës treni.
Edhe nga stacioni hekurudhor konfirmojnë se një numër simbolik i qytetarëve e shfrytëzojnë trenin për udhëtim nga Tetova drejt Shkupit apo drejt Kërçovës.
VISAR SADIKI
