Maqedoni

KSI: Objektet hotelerike të mbyllen në orën 21

02.11.2020 16:50

Komisioni për Sëmundje Infektive propozon mbylljen e objekteve gastronomike në orën 21:00....

Komisioni për Sëmundje Infektive propozon mbylljen e objekteve gastronomike në orën 21:00. Ky propozim do të shqyrtohet të martën në mbledhjen e Qeverisë. Shkurtimi i orarit të punës për gastronomet vjen si propozim i Komisionit për Sëmundje Infektive, pas rritjes së numrit të personave të infektuar, ndërsa i njëjtë është shqyrtuar dhe miratuar nga Shtabi i Krizës. Propozimi vjen në rrethana kur të dhënat e fundit flasin për mbi 1000 të vdekur në vend nga virusi Korona dhe mbi 10 mijë raste aktive. 
 
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka filluar fushatën për mbajtjen e maskës, por edhe në rrethana të shifrave alarmante, kur numri i të infektuarve ka tejkaluar edhe 1000 në ditë dje në orën 18 e 50 minuta në polici është raportuar se në një objekt hotelierik në Dobërdoll të Gostivarit, pronë e 33-vjeçarit M. I. nga ky fshat, është organizuar një dasmë, ishin afro 120 mysafirë. 
 
“Sektori për Punë të Brendshme - Gostivar në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, ka kryer inspektim, kurse objekti është mbyllur. Çështja është duke u zbardhur dhe do të pasojnë parashtresa adekuate.”,- thuhet në njoftimin e Policisë.
 
GYLTENE SINANI