Botë
Amerika vendos sot, konfirmim për Trump apo administratë Biden
03.11.2020 12:01
Sot është dita në të cilën amerikanët që nuk kanë votuar ditët e mëparshme apo nëpërmjet postës...

Sot është dita në të cilën amerikanët që nuk kanë votuar ditët e mëparshme apo nëpërmjet postës, do të japin votën e tyre e cila do të nënkuptonte edhe 4 vjet të tjera nën drejtimin e Donald Trump ose një hap të ri nën administratën Biden.
Në Amerikë, të dy kandidatët mbyllën mbrëmë fushatën elektorale në Shtetet më vendimtare për votën e tyre. Teksa akuzoi edhe një herë të fundit Trump për menaxhimin e keq të pandemisë Biden iu premtoi amerikanëve një kthim në normalitet me fitoren e tij. Presidenti në fjalimet e tij u premtoi atyre se nga 4 nëntori nuk do të dëgjohet më mbi pandeminë dhe teksa ata thërrisnin që ai te pushonte ekspertin e lartë të shëndetësisë Anthony Fauci, përgjigjja e Trump ishte: Prisni pas zgjedhjeve. Megjithatë në ditën e madhe të zgjedhjeve të vendit më demokratik në botë, situata nuk është aspak normale si në zgjedhjet e mëparshme.
Shumë biznese kanë marrë masa sigurie nga frika e ndonjë protestë të mundshme pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Masa janë marrë dhe në Shtëpinë e Bardhe e cila ka shtuar dhe një gardh tjetër të ngjashëm me atë që u vendos në verë. Policia është përpjekur herë pas herë të qetësojë qytetarët duke i siguruar se nuk do të ketë kaos në një ditë si kjo dhe se ruajtësit e rendit janë te mobilizuar për mos ta lejuar diçka të tillë.
Ende nuk dihet se kur do të shpallen rezultatet. Zakonisht rezultati i zgjedhjeve në SHBA mësohet që natën e votimeve. Por këtë vit do të jetë ndryshe. Votat me postë zakonisht duan më shumë kohë për t’u numëruar për shkak se duhen bërë disa verifikime, si firma dhe kontrolli i adresës. Në këto zgjedhje, miliona amerikanë kanë votuar me postë për shkak të koronavirusit, çka do të thotë se numërimi i të gjithë votave do të sjellë vonesa.
