Botë
Sulmi në Vjenë, policia identifikoi një sulmues, kërkohen të tjerët
03.11.2020 14:08
Policia ka identifikuar një nga sulmuesit e sulmit në Austri që tashmë është cilësuar si sulm terrorist....

Policia ka identifikuar një nga sulmuesit e sulmit në Austri që tashmë është cilësuar si sulm terrorist. Banesa e tij është kontrolluar e po vazhdon hetimi edhe për njerëz të tjerë të mundshëm të përfshirë në 6 sulmet e koordinuara që tronditën Vjenën. Ende është e paqartë se sa sulmues kanë qenë gjithsej. I qartë është bilanci i 4 viktimave dhe 22 të lënduarve, mes tyre edhe një oficer i policisë. Sulmi u krye nga të paktën një i dyshuar i cili u qëllua dhe u vra nga policia. Ai ishte i armatosur me një pushkë dhe pistoletë , madje kërcënoi se mbante veshur edhe një jelek shpërthyes por që doli se ishte kërcënim blof.
"Jemi me zemër me familjet e 3 viktimave dhe 15 qytetarëve të lënduar, si dhe të policit të lënduar rëndë gjatë sulmeve. Përjetuam sulm nga të paktën një terrorist islamik, një situatë të cilën Austria nuk e kishte përjetuar për vite të tëra. Terrori dhe dhuna nuk kanë vend në shoqërinë tonë, nuk do të heqim dorë nga të drejtat tona themelore për shkak të një sulmi të tillë terrorist. Do të qëndrojmë pranë qytetarëve tanë, bashkarisht do të ndihmojmë hetimet rreth këtij sulmi terrorist.", tha Karl Nehammer, Ministër i Brendshëm i Austrisë.
Sulmi ndodhi vetëm disa orë para se Austria të vendoste kufizime të reja kombëtare në përpjekje për të ndaluar rastet në rritje të virusit korona.Shumë njerëz ishin duke shijuar kohën në bare dhe restorante të cilat prej sot do të jenë të mbyllur deri në fund të Nëntorit. Qytetarët janë ende të tronditur nga ajo që ndodhi.
"Nuk munda të fle. Ende jam në panik"....
"Jam e shqetësuar. Unë jetoj në afërsi të Augarten, dëgjova gjithcka. Por jeta duhet të vazhdojë"...
"Shumë prindër nuk i sollën fëmijët në shkollë sot. Me ata që erdhën, e diskutuam ngjarjen. Mendoj se duhen sqaruar fëmijët pasi ata do të pyesin se përse sot ndejtën në shtëpi me prindërit.", thanë qytetarët.
Ministri I brendshëm Nehammer ndërkohë konfirmoi edhe informatat që u bënë publike nga gazetat austriake mbi sulmuesin. Ai ishte një 20 vjeçar me dy nënshtetësi, atë Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nehammer ka thënë se sulmuesi ka një të kaluar kriminale dhe ka pasë “përpjekje për anëtarësim” me Shtetin Islamik. Sipas ministrit, ai u neutralizua brenda nëntë minutave që kur nisi sulmi.
ERSAN PAJAZITI
