IS merr përgjegjësinë për sulmin në Vjenë
Grupi militant, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë...

Grupi militant, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Vjenë, në të cilin janë vrarë katër persona.
Në deklaratën e këtij grupi, të publikuar nga agjencia e tij e lajmeve “Amaq”, nuk janë ofruar të dhëna për marrjen e përgjegjësisë, transmeton Reuters.
Deklarata është shoqëruar me një fotografi të një burri me emër "Abu Dagnah Al-Albany", duke thënë se ai ka sulmuar turmat e njerëzve në qendër të Vjenës të hënën, para se të vritej nga policia austriake.
Autoritetet austriake e kanë cilësuar ngjarjen e së hënës si sulm "terrorist".
Policia austriake vrau sulmuesin e dyshuar, duke e identifikuar si Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në Zvicër, policia ka njoftuar se ka ndaluar dy burra zviceranë të moshave 18 dhe 24-vjeçare, duke thënë:
“Shkalla e lidhjes mes këtyre dy personave të arrestuar dhe sulmuesit të dyshuar është aktualisht subjekt i hetimit”. (REL)
