Bllokohen 2 ton kanabis mes frutave në Mal të Zi, erdhi nga Shqipëria!

03.11.2020 21:01

Më shumë se 2 ton kanabis e fshehur mes frutave...

Më shumë se 2 ton kanabis e fshehur mes frutave është sekuestruar në Podgoricë, ndërsa është arrestuar një shqiptar deri tani nga operacioni i bujshëm.

Policia malazeze thekson se lënda narkotike hyri nga Shqipëria dhe destinacion ishin vendet e BE-së.

Droga u kap në terminalin doganor në një aksion të përbashkët të Administratës së Policisë dhe Administratës Doganore.

Shqiptari i arrestuar është Elvis Çalik. Mediat malazeze shkruajnë  se “kanabisi u gjet në një kamion që hyri nga Shqipëria në pikën kufitare Bozaj”.

“Sot, u krye një veprim i përbashkët i Administratës së Policisë dhe Administratës Doganore, i kryer për një periudhë disa mujore hetimore, që synonte ndërprerjen e rrugës ndërkombëtare të kontrabandës së drogës nga drejtimi i Republikës së Shqipërisë përmes territorit të Malit të Zi për në vendet e Evropës Perëndimore. Një shqiptar, Elvis Çalik 40 vjeç u arrestua nën dyshimin se kishte kryer veprën penale të prodhimit, mbajtjes dhe shpërndarjes së narkotikëve.

Kamioni i drejtuar nga shqiptari mbërriti në vendkalimin kufitar Božaj sot, 3 nëntor. Droga ishte fshehur në një ngarkesë tranzit me fruta dhe perime e destinuar për vendet e Evropës Perëndimore. U zbuluan nëntë paleta që kishin drogë me një peshë totale prej rreth 2 tonë marijuanë” thotë policia malazeze.

Ndërkohë që një tjetër person është shpallur në kërkim.