Maqedoni
Fillimi i negociatave RMV-BE, Zaharieva: Në këtë fazë, s’i themi dot "po" Shkupit
05.11.2020 12:27
Bullgaria mbetet në pozicionin e saj, e ministrja e jashtme Ekaterina Zaharieva...

Bullgaria mbetet në pozicionin e saj, e ministrja e jashtme Ekaterina Zaharieva, thotë se pozicioni i Bullgarisë nuk mund të ndryshohet për shkak të presionit të jashtëm. Në një intervistë për "BTV", Zaharieva ka ripërsëritur se në këtë fazë nuk ka asnjë mënyrë për të thënë "po" për fillimin e negociatave midis Maqedonisë dhe BE.
“Në këtë fazë nuk ka asnjë mënyrë për t’i thënë “po” Shkupit. Për momentin, Bullgaria nuk është në gjendje të miratojë kornizën e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Ka një marrëveshje për fqinjësi të mirë, e cila u nënshkrua në vitin 2017, por që nuk respektohet. Kemi një histori të përbashkët me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shkupi nënshkroi marrëveshjen, por po përpiqen të ikë prej saj”, thotë Zaharieva.
Zaharieva thotë se është në interes të Bullgarisë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me BE por sqaron se mbështetja për Maqedoninë e Veriut nuk ka qenë kurrë e pakushtëzuar.
“Mbështetja jonë për Maqedoninë e Veriut nuk ka qenë kurrë e pakushtëzuar. Bullgaria nuk e konteston gjuhën dhe identitetin modern të popullsisë së saj. Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë. Tani është shumë e dukshme për publikun. Vitin e kaluar, qeveria paraqiti një deklaratë në parlament, e cila u mbështet nga të gjitha partitë. Pra, qëndrimi ynë ndaj Maqedonisë së Veriut nuk është i ri, siç pretendojnë disa”, thotë Zaharieva.
Ajo theksoi se për të zbatuar Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, është i nevojshëm vullneti i mirë, duke vënë në dukje se "mosnjohja e së vërtetës historike çon në probleme mjaft serioze në marrëdhëniet midis dy vendeve.
MERITA GASHI
