Botë

Specialja konfirmon aktakuzën, Thaçi dorëhiqet nga posti i presidentit

05.11.2020 14:25

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti, i pari I shtetit....

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti, i pari I shtetit. Dorëheqja e tij vjen menjëherë pasi Dhomat e Specilaizuara të Hagës konfirmojnë aktakuzën për krime lufte kundër njerëzimit. Në një pres konferencë të jashtëzakonshme, Thaçi tha se nuk do të lejojë  që t’i gjykohet një presidenti të Kosovës, andaj ka vendosur të deponojë dorëheqjen e tij, duke shtuar se do të bashkëpunojë me gjykatën në Hagë. 
 
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës. Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të dalim faqebardhë.", tha Hashim Thaçi, president në dorëheqje i Kosovës.
 
Gjykata speciale konfirmohet aktakuza për Kadri Veselin
 
Pas konfirmimit  të mërkurën  të aktakuzës ndaj ish kreut të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe deputetit të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën edhe ndaj kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Ky I fundit nuk deshi të komentojë më tepër, por u tha  gazetarëve se Zyra e Dhomave të Specializuara e kanë njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij. Veseli ka vendosur që udhëtimin drejt Hagës ta bëjë vullnetarisht per t’iu përgjigjur të gjitha akuzave me të cilat ngarkohet. Në prill të këtij viti Zyra e Prokurorit u ka dërguar për shqyrtim Dhomave të Specializuara të Kosovës aktakuzën me 10 pika, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe të tjerë, dyshohen  për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. 
 
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit. Në korrik, Presidenti në dorëheqje Hashim Thaçi u morr në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku foli për rolin dhe përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhën që mbulon mandati i Speciales. Pas dorëheqjes së Thaçit nga posti, sipas Kushtetutës së Kosovës të drejtën për ta ushtruar detyrën e presidentit e ka vetëm kryetari i Kuvendit, në këtë rast Vjosa Osmani.
 
MERITA GASHI