Ekonomi

KE: Ekonomia e RMV-së, rënie për minus 4.9%

05.11.2020 16:07

Komisioni Evropian parashikon rënie të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut prej - 4.9%....

Komisioni Evropian parashikon rënie të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut prej -4.9%. Edhe pse në raportin e pranverës KE parashikoi se ekonomia për vitin 2020 do të kalojë me një rritje negative prej -3.9%, niveli i ulët i kërkesës së brendshme ka bërë ky parashikim të ndryshojë për të keq. Karantina dhe masat tjera rigoroze për parandalimin e Covid 19 si dhe mos ardhja e diasporës janë faktorët kryesor për këtë ulje ekonomike.  

 
“Jemi treguar më të matur në këtë parashikim. Dhe kjo është për shkak se konsumi i brendshëm është më i ulët se sa ne kemi parashikuar paraprakisht. Konsumi i brendshëm në vend ka qenë më e ulët për shkak të dy gjërave. E para është sigurisht për shkak të masave shëndetsore nga ana e qeverisë të cilat sigurisht që kishin efekt në rritjen ekonomike, dhe tjetër faktor janë remitencat.”, tha Frek Janmat, shef i Sesionit Ekonomik të delegacionit të BE-së në Shkup.
 
Janmat: Rikuperimi me hapa të ngadalta, shkak pandemia
 
Rikuperimi i ekonomisë sipas KE-së do të ecë me ritme të ngadalta. Për vitin e ardhshëm parashikohet rritje e BPV-së për 3.8%, kurse për vitin 2022 për 3.5%. Punësimi këtë vit pritet të ulet për 0.3%, kurse në dy vitet e ardhshme të ketë rritje prej 0.5%, përkatësisht 2.4%. Rimëkëmbja ekonomike nuk pritet të ndodh para vitit 2022, por ajo do të varet edhe nga jetëgjatësia e pandemisë. 
 
"Ekzistojnë sinjale se aktiviteti i brendshëm ekonomik po rritet, kreditimi i sektorit privat edhe më tej është optimist, kurse rikuperimi në masë të madhe do të mbështettet në përforcimin e kërkesës së brendshme dhe sipas të gjitha gjasave do të zgjat deri në vitin 2022, pikërisht për shkak të paparashikueshmërisë se sa do të zgjat pandemia.”, tha Janmat.
 
Konsumi privat këtë vit do të ulet për 4.3, kurse në dy vitet e ardhshme do të ketë rritje prej 4.5% dhe 4.7%. Për konsumin publik parashikimet janë pozitive. Rritje prej 3.3% këtë vit dhe 2.9, përkatësisht 3.1% për dy vitet e ardhshme. Eksporti pritet të ketë ulje këtë vit për 15.5%, kurse importi për 12.5%, parashikon KE. 
 
ERSAN PAJAZITI