Ekonomi

Ministrat e ekonomisë së Bullgarisë dhe RMV-së: E ardhmja e rajonit në krijimin e tregut të përbashkët rajonal

05.11.2020 16:58

Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, krijimi i korridoreve të gjelbërta për levizje

Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, krijimi i korridoreve të gjelbërta për levizje pa pengesa të produkteve primare duhet të jenë prioritet ekonomike nga qeveritë e rajonit. Kjo u konkludua gjatë mbledhjes të ministrave të ekonomisë të Bullgarisë dhe Maedonisë së Veriut në kuadër të kryesisë së përbashkët të Procesit të Berlinit. Sipas ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi tregu i përbashkët rajonal do të kontribuojë më tej në integrimin e Ballkanit Perëndimor në zonën digjitale pan-Evropiane, e cila do të forcojë ekonominë digjitale dhe shoqërinë në rajon.
 
“Tregu i tregtisë elektronike i CEFTA-s sot vlerësohet në rreth 1 miliard euro, me një rritje të fortë. Detyra jonë është të sigurojmë qasje në këtë treg për të rinjtë dhe krijuesit të cilët mund të krijojnë vende pune për më shumë të rinj. Ne kemi nevojë për të eksportuar mallra dhe shërbime përmes internetit, CEFTA ka miratuar një udhërrëfyes për të udhëhequr rrugën tonë për të hequr pengesat më të mëdha në tregtinë digjitale ndërkufitare”, theksoi ministri Bekteshi. 
 
Për ministrin bullgar të ekonomisë Laçezar Borisov agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor mund të jetë një mundësi për modernizim për vendet e rajonit që të bëhen më konkurrues, por nga ana tjetër, një kornizë rregullatore e parashikueshme dhe e qëndrueshme është e rëndësishme që biznesi të planifikojë dhe të zbatojë investimet e tij.
 
"Zbatimi i agjendës së gjelbër ka të bëjë me investime dhe transformime të mëdha, për të cilat shumica e vendeve në rajon ende nuk janë gati. Ritja e ambicies për të arritur neutralitet klimatik deri në vitin 2030 dhe 2050, edhe në këtë fazë, krijon pasiguri të biznesit dhe shkakton frikë legjitime të rreziqeve të paparashikuara. Agjenda e gjelbër e Ballkanit Perëndimor është një mundësi për rritje ekonomike dhe që ekonomitë rajonale të bëhen neutrale në lidhje me klimën me zhvillimin e sistemeve energjetike me nivel më të ulët të karbonit. Kjo është një detyrë e vështirë dhe e përgjegjshme, veçanërisht në kontekstin e pandemisë Kovid 19", u shpreh ministri bullgar Borisov.
 
Sipas zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi përmes tregut të përbashkët rajonal do të rritet bashkëpunimi ndër-rajonal, gjë që do të nxit në rritjen e konkurencës dhe do të bëhej partner i vendeve evropiane. 
 
"Synimi ynë është të përmirësojmë bashkëpunimin në rajon nga "Zona Ekonomike Rajonale" në një nivel më të lartë të bashkëpunimit "Tregu i Përbashkët Rajonal". Kjo do të hapë dyert e ekonomive në rajon për t'u bërë një partner edhe më i rëndësishëm i vendeve të BE-së dhe për të rritur bashkëpunimin në një nivel më të lartë. Kjo nënkupton respektim i parimeve të lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit, duke siguruar një mjedis të mirë biznesi për investitorët duke siguruar sisteme operacionale dhe efikase për të mbështetur dhe mbrojtur investimet në të gjitha aspektet e tyre," theksoi zv.kryeminstri për çështje ekonomike Bytyqi.
 
Ministrat gjithashtu përshëndetën Protokollin mbi qasjen e hapur në Infrastrukturën hulumtuese në Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të inkurajojnë lëvizjen e hulumtuesve dhe bashkëpunimin shkencor në rajon.
 
ERSAN PAJAZITI