Emërimi i gjykatëses Kacarska, në mungesë të kuorumit shtyhet votimi

06.11.2020 17:10

Në mungesë të kuorumit prej 61 deputetëve....

Në mungesë të kuorumit prej 61 deputetëve, kuvendi pas përmbylljes së debatit tre ditor nuk arriti të zgjedh Dobrilla Kacarskën gjykatëse në gjykatën kushtetuese. Mungesa e një deputetes nga radhët e LSDM-së, pozitive me COVID-19 ka pamundësuar përzgjedhjen.

Debati parlamentar, me akuza të ndërsjella

Ndërkohë që debati u zhvillua me përplasje të ndërsjella pushtet opozitë. Deputetët e VMRO-së opozitare duke e cilësuar si emërim politik, kundërshtuan propozimin. Gjithashtu akuzuan pushtetin se dëshiron të shtrijë ndikimin në kushtetuese.

“Emri Kacarska do të thotë padrejtësi ndërkaq përzgjedhja e saj do të thotë hyrje e mafias së Zaevit në gjykatën kushtetuese. Vendimet antikushtetuese të Kacarskës janë lëndë studimi në universitete eminente në botë, duke e cilësuar Kacarskën si shkelëse të kushtetutës dhe konventës europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.” – tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.

Deputeti Misajllovski, emërimin madje e cilësoi si shpërblim për Kacarskën e cila sipas tij kontribuoi në ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit.

“Ky është shpërblim që Kacarska të hyjë në gjykatën kushtetuese dhe të gjitha punët antikushtetuese që kaluan vitet e kaluara të mbeten të betonuara dhe të ketë edhe një njeri plus atje. Ky është realiteti. Ju nuk e zgjedhni më të mirin por ju dëshironi që gjithkund të vendosni njeriun tuaj.” – u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.

Shumica parlamentare me kundërakuza se deputetët e VMRO – DPMNE – së lakojnë faktet pasi sipas tyre ishte regjimi i kaluar që politizoi gjyqësorin.

“Thoni se pikërisht Dobrilla Kacarska shkel kushtetutën! Jo kolegë, jeni ju ata që shkelni kushtetutën, nuk respektoni kushtetutën , ligjin për gjykata dhe gjykatën kushtetuese.” – theksoi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kalevska.

“Nuk keni kredibilitet ta thoni dhe kërkoni këtë pasiqë dëshmuat se për 11 vite gjithçka që bëtë ishte gjykatës svarovski, me fletore dhe keqërdorime të funksioneve, pasiqë kryetari i gjykatës kushtetuese ishte kumbar i ish kryeparlamentarit.” – deklaroi deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi sqaroi se votimi për emrimin e Dobrilla Kacarskës në kushtetuese do të zhvillohet kur të sigurohet shumica e votave, 61, nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Kacarska vjen në vendin e gjykatësit Vlladimir Stojanovski me propozim të Këshillit Gjyqësor. (Meral Ismaili, TVM2)