Maqedoni
Korniza negociuese për RMV-në: Zaharieva ripërsërit kushtet, Osmani optimist
09.11.2020 17:20
Bullgaria nuk lëshon pe dhe nuk do të përkrah kornizën negociues për fillimin e bisedimeve...

Bullgaria nuk lëshon pe dhe nuk do të përkrah kornizën negociues për fillimin e bisedimeve mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Shefja e diplomacisë bullgare Ekaterina Zaharieva tha se Bullgaria ka qenë dhe do të mbetet përkrahësja më e madhe e vendeve të rajonit në procesin eurointgrues përfshi edhe Maqedoninë e Veriut, por pa zbatimin e mirëfilltë të Marrëveshjes dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura, s’ka as pajtim dhe as përkrahje.
“Në marrëveshjen që e nënshkruam në vitin 2017, e që hyri në fuqi pas ratifikimit në dy kuvendet në fillim të vitit 2018, nëse zbatohej me ndërgjegje dhe nuk kërkoheshin mënyra për anashkalim ose moszbatim të pikave të saj, ajo ka të gjitha garancat që të mbyllen të gjitha çështjet e hapura. Për fat të keq, këtë nuk po shohim për një kohë të gjatë dhe disa herë kemi sinjalizuar dhe kemi diskutuar me kolegët nga Maqedonia e Veriut. Pajtohen që kemi borxh ndaj gjeneratave të reja, por kemi borxh edhe ndaj gjeneratave të tanishme. Mendoj se, nëse nuk ka pajtim të mirëfilltë dhe të ndershëm, në frymën e vullnetit të mirë, dhe vënien në tryezë dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ky pajtim nuk mund të ndodh”, u shpreh Shefja e diplomacisë bullgare Ekaterina Zaharieva.
Ministri jashtëm Bujar Osmani konsideron se Marrëveshja po zbatohet, ndërsa çështjet historike konformë kësaj Marrëveshje i janë lënë shpencës, përkatësisht historianëve. Çdo pretekst për të penguar integrimin evropian të vendit, dëmton proceset e brendshme dhe besueshmërinë e BE-së në rajon, tha Osmani.
“Marrëveshja për fqinjësi të mirë është kornizë dhe formulë e shkëlqyer për tejkalimin e dallimeve që ekzistojnë mes dy vendeve rreth të gjitha çështjeve. Konsideroj se vazhdimi dhe dinamizimi i zbatimit të kësaj marrëveshje, me vullnet të mirë dhe fokus në të ardhmen e përbashkët mes dy vendeve, është zgjidhja e vetme. Kështuqë unë jam optimist se të gjithë jemi të vetëdijshëm për investimin në këtë proces dhe për pasojat nga mossuksesi. Si për ne dhe proceset tona të brendshme dhe për rëndësinë dhe rolin e Republikës së Bullgarisë në kthimin e rajonit në agjendën evropiane por edhe për parashikueshmërinë dhe kredibilitetin e BE-së në rajon. Marrëveshja për fqinjësi të mirë ishte kthesë në marrëdhëniet tona”, theksoi ministri jashtëm Bujar Osmani.
Përkundër dallimeve rreth zbatimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut morrën kryesimin e përbashkët me Procesin e Berlinit.
Osmani dhe Zaharieva, ishin nikoqirë të takimit të ministrave për Punë të Jashtme të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që i paraprin Samitit të liderëve, që mbahet të martën, e ku do të lansohet Plani Aksionar për vendosjen e Tregut të përbashkët rajonal dhe Agjendës së gjelbërt për Ballkanin Perëndimor.
SHPËTIM NUREDINI
