Botë

Europa gati 1 milion të infektuar çdo 3 ditë: Vaksina e parë kundër covid-19 , Pfizer ka dhënë efekt, ofron mbrojtje 90%

09.11.2020 19:05

Amerika, India dhe Brazili përfaqësojnë gati gjysmën e totalit të të infektuarve në botë nga Covid 19...

Numri i rasteve me COVID-19 në kontinentin e Afrikës është rritur me 12.490 raste të reja dhe  238 vdekje   në 24 orët e fundit. Por kontinenti europian me 12 milionë raste, është rajoni më i goditur nga pandemia, duke ia kaluar Amerikës Latine, dhe bilanci po rritet me gati 1 milion të infektuar të rinj çdo tri ditë.
 
Në Itali, Urdhri i Mjekëve ka kërkuar izolim total të vendit pasi situata në spitale po merr përmasa dramatike dhe parashikohen deri 10 mijë viktima të tjera gjatë muajit.
 
Në shumë spitale të vendit po mbarojnë shtretërit për pacientët Covid-19. Rastet u rritën te dielën me 30 mijë, më shumë se 330 ishin jetët e humbura. Greqia regjistroi të dielën një rekord prej 35 viktimash ndërsa nga analizimi i ujërave të zeza, rezulton se bartës aktivë të koronavirusit janë më pak se 2 për qind e banorëve të kryeqytetit.
 
Bosnjë hervegovina regjistroi 73 viktima në 24 orë, Kroacia 38 viktima dhe 1529 raste.Republika Çeke njoftoi se ka pasur 3,608 raste të reja me koronavirus, shifra më e ulët ditore kjo në katër javë.
 
Numri i të shtruarve në spital po ashtu ra për rreth 500.  101 pacientë vdiqën vetëm të dielën. Vaksina e virusit korona  që mund t’i parandalojë prekjen në mbi 90% të rasteve, ka dhënë efekt.
 
Kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, thanë se vaksina e tyre është testuar në 43,500 njerëz në gjashtë vende dhe nuk ka pasur efekte anësore. Kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës në fund të muajit.
 
Pfizer beson se do të jetë në gjendje të sigurojë 50 milionë doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard deri në fund të vitit 2021. 
 
BESIM ABDULLAI