1.6 milionë katalonas votuan “pro” ndarjes nga Spanja
Rreth 1.6 milionë banorë të Katalonisë kanë votuar për t’u ndarë nga Spanja.....

Një gjë të tillë e kanë bërë përmes një referendumi simbolik, ku mbështetësit e saj kanë shpresuar se do të ecin përpara me këtë qëllim.
Pavarësisht kundërshtimit të Madridit, referendumi është mbajtur më 9 nëntor, në rajonin e Katalonisë, në verilindje të vendit. Në votime kanë marrë pjesë 2 milionë banorë, prej të cilëve rreth 1.6 milionë katalonas i kanë thënë “po” pavarësisë nga Spanja. Pjesëmarrja në këtë votim është konsideruar shumë e ulët, pasur parasysh se të drejtë vote kanë pasur 5.4 milionë banorë. Por, pavarësisht kësaj, udhëheqësi i rajonit, Artur Mas, këtë votim e ka konsideruar fitore.
Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajof, e ka kundërshtuar referendumin, duke e dërguar rastin edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila mori vendim që të pezullojë këtë organizim. Por, as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i ka ndalur katalonasit që të mbajnë referendumin.
