Fillon vizita zyrtare e kryeministrit Rama në Beograd

10.11.2014 12:43

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, viziton sot Beogradin, duke shënuar kështu vizitën e parë të një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh........

Ai është pritur nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq,  me të cilin fillimisht kanë realizuar takimin “Tet-a Tet”, ndërsa thuhet se dy kryeministrat do të nënshkruajnë disa marrëveshje ndërshtetërore.

Tirana zyrtare e konsideron këtë vizitë si mundësi për hapje të një kaptine të re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Nuk dihet ende se çfarë do të përmbajnë marrëveshjet e parapara për nënshkrim, ndonëse mediat në Shqipëri, jozyrtarisht, raportojnë se ato kanë të bëjnë me doganat, me qarkullimin e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve dhe me bashkëpunimin rinor.

Gjatë orëve të mbrëmjes, kryeministri do të vizitojë Bashkinë e Beogradit, kurse të martën kryeministri shqiptar ka paralajmëruar edhe një vizitë në Preshevë, për të zhvilluar një takim me qytetarët në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti. Vizita ishte përcaktuar që më parë për në datën 22 tetor, por tensionet e krijuara gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri bënë që vizita të shtyhej për ditën e sotme.