Botë

Shi dhe përmbytje në Kretë

11.11.2020 11:17

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në ishullin grek të Kretës...

Dhjetëra banesa dhe makina janë përfshirë nga lumenjtë e baltës të cilat rrëmbyen çdo gjë që gjetën përpara duke shkaktuar dëme të pallogaritshme për banorët vendas. Në Iraklo, si pasojë e përmbytjeve qindar banorë janë evakuuar ndërkohë që janë mbyllur shkollat dhe të gjitha aktivitetet e tjera. 
 
Dëmet më të mëdha janë regjistruar në komunën Hersoniso ku repartet e zjarrfikësve kanë shpëtuar të paktën 30 persona pasi shtëpite e tyre apo automjetet ishin gati të përmbyteshin nga ujërat e rrëmbyera të prrenjëve e lumenjëve që dolën nga shtrati. Në disa zona banorët kane hipur  në çatitë e banesave të tyre në pritje të ndihmës ajrore nga shteti.
 
Ekipet e shpëtimit dhe të forcave të ndërhyrjes në rast katastrofe po bëjnë përpjekje të hapin disa prej rrugëve nacionale në Spilia dhe Peza ku ka pasur rreshqitje të mëdha të dheut. Shumë rrugë të fshatrave Anisara, Analipsi, Koutoyloufari dhe Moho janë përmbytur tërësisht pasi rreshjet nuk kanë ndaluar për më se dy ditë ndaj dhe organet lokale kanë urdhëruar mbylljen e shkollave fillore për disa ditë.
 
Organet lokale po përpiqen në këtë fazë të sistemojnë të pastrehët apo ata që nuk mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre pasi niveli i ujit është ende i lartë. Sinoptikanët këshillojnë për kujdes nga të gjithë banorët e këtyre zonave pasi rreshjet që do të jenë të rrëmbyera do të vazhdojnë edhe në 24 orët e ardhëshme.