Bursa ndërkombëtare për 20 studentët më të mirë

10.11.2014 15:12

Njëzet studentët më të mirë u shpërblyen me bursa sot nga presidenti, Gjorge Ivanov......

Bursat mundësojnë kryerjen e studimeve  postdiplomike në kolegjin “City” të Selanikut, i cili funksionon në kuadër të Universitetit të Shefildit nga Britania e Madhe. Presidenti Ivanov, porositi bursistët se kjo mundësi është një përgjegjësi dhe obligim i madh dhe duhet të shfrytëzohet në tërësi për të qenë njerëz të suksesshëm, siç tha  Ivanov edhe “për të mirën tuaj edhe në të mirë të shoqërisë”.

Presidenti gjithashtu shpreson se kjo situatë do t’u ndihmojë edhe në përmirësimin e marrëdhënieve të brishta me Greqinë.

“Maqedonia është e vetëdijshme se duhet të punojnë për të bërë për kohën e humbur në ndërtimin e ekonomisë së bazuar në njohuri, njerëz të rinj të cilësisë, që kanë fituar një arsimim të mirë në institucionet arsimore me reputacion të nevojshëm për zhvillim ekonomik dhe përparim të një vendi”- deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, para studentëve premtoi se institucioni që ai përfaqëson do të mbështesë në vazhdimësi kuadrot e reja që kanë kapacitet për të thithë përvoja dhe eksperienca të reja nga institucione të ndryshme jashtë vendit.

“Të jesh pjesëtar i universiteteve më prestigjioze është fillimisht sukses dhe privilegj  i madh për çdo student, sepse pas tij qëndrojnë profesorët dhe shkencëtarët më eminent të rajonit. Ky sukses nëse akumulohet jashtë vendit, studentin kur e sjell në vendin e tij ai drejtpërdrejt kontribuon në përparimin e fushës që ai e ka hulumtuar”- tha zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski.

Bursat e fituara mbajnë emrin e ish-presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovskit dhe ndahen tashmë tradicionalisht pesë vite me radhë. Çdo bursë në veçanti është në vlerë prej regjistrimit në “City” kolegjin dhe arrin në 14.890 euro, nga të cilat 50% i siguron MASH-i, ndërsa pjesën tjetër “City” kolegji.

Bursat për “City” kolegj u ndanë për studimet pasuniversitare në fushën e marketingut, financave, menaxhmentit të përgjithshëm, mbështetjes logjistike dhe menaxhmentit në shëndetësi. (Valbon Bexheti, TVM2)