Botë
Biontech: Me shpejtësi drite drejt vaksinës kundër Covid-19
11.11.2020 13:47
“Lightspeed”, shpejtësia e dritës, kështu u quajt projekti i kompanisë gjermane Biontech...

“Lightspeed”, shpejtësia e dritës, kështu u quajt projekti i kompanisë gjermane Biontech, që nisi në fillim të janarit. Synimi i tij ishte zhvillimi në kohë rekord i vaksinës kundër virusit korona. Dhe projekti vërtetë përparoi me shpejtësinë e dritës.
Në qoftë se në kohë normale për zhvillimin e një vaksine duhen tetë deri dhjetë vjet, shkencëtarët nga qyteti i Mainz-it do të mund të jenë në gjendje të marrin aprovimin e vaksinës në SHBA për më pak se brenda një viti. Kjo mund të ndodhë në mes të nëntorit. Atëherë Biontech dhe partneri i tyre Pfizer do të aplikojnë për licencimin emergjent në SHBA. Të dhënat paraprake flasin për 90 për qind mbrojtje ndaj COVID-19, njoftuan Biontech dhe Pfizer të hënën. Kështu ata bëhen të parët në garën për vaksinën në botën perëndimore. Momentalisht vaksina është duke u testuar në një studim, që përfshin dhjetëra mijëra pjesëmarrës.
Dy personat kryesorë, që qëndrojnë prapa koncernit bioteknologjik Biontech janë Ugur Sahin dhe Özlem Türeci. Që në janar të këtij viti, Sahin dhe Türeci reaguan dhe i përqendruan kërkimet e tyre te vaksina kundër virusit korona. Tre muaj më vonë ata ishin kandidatët e parë për vaksinën në zhvillimin klinik.
