Maqedoni

Statistika: Ulen çmimet, qytetarët nuk e vërejnë

10.11.2014 15:42

Standardi i jetesës ka shënuar rënie për 0,2% gjatë 10 muajve të parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë statistikat...

Ulje më e madhe, sipas këtyre të dhënave, është vënë re tek harxhimet për ushqim me -1,2%, amvisëri-0,5%, transport - 0,5%, komunikim,-0,8%, kulturë dhe rekreacion -3,5%.
 
Në kohën kur statistika vlerëson ulje të çmimeve, qytetarët thonë të kundërtën, se standardi jetësor është bërë më i shtrenjtë. 
 
“Nuk besoj që janë më lirë, por më shtrenjtë, inflacion ka, këtë e dinë të gjithë, punët nuk bëjnë këtu dhe gjendja është jashtëzakonisht e rëndë, populli pa punë, çmimet kryesisht janë të larta”- u shpreh një qytetar.
 
“Në përgjithësi çmimet o ulen o rriten, kemi vërejtur se edhe me xhepin edhe me ndjenjat e njerëzve luhet. Lëvizin çmimet, herë ulen herë ngriten, pavarësisht për çfarë bëhet fjalë, a për ushqime apo për ndonjë sferë tjetër. Sinqerisht ne jemi adaptuar me këtë gjë, nuk e kemi as për së pari herë as për së fundi herë, gjithçka bëhet si thonë ata”- tha një qytetare.
 
“Çmimet janë të njëjta, nuk kanë ndryshuar, për standardin tonë është shtrenjtësi e madhe edhe ilaçet shtrenjtë janë”- theksoi një qytetar.
 
“Rrogat janë katastrofë, me 150 euro çfarë mund të bëjë një familje”- potencoi një qytetare.
 
“Rrogat nuk kanë lëvizur, para 20 vjetëve kështu kanë qenë edhe tash kështu janë. Unë nuk besoj që ka zbritje të çmimeve në çdo sferë, janë rrena ato statistika, unë nuk i besoj se jam prind dhe e di”- u shpreh një qytetar.
 
“Rrogat janë të vogla, standardi është i lartë, rryma vjen shtrenjtë, nuk e di njeriu çka të bëjë, si ta kalojë jetën, ushqimet, ilaçet, shtrenjtë të gjitha gjërat”- tha një qytetarë.
 
Ditëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë publikoi zbritje të çmimit të 600 barnave. Por, qytetarët thonë se nëpër barnatore llogaritë e tyre fiskale gjithmonë vijnë duke u shtuar.
 
Gjatë 5 muajve të fundit, statistika ka matur ulje të vazhdueshme të shpenzimeve jetësore, përveç shëndetësisë, janë regjistruar rritje në sferën e arsimit, higjienës personale dhe mbrojtjes sociale, ndërsa në sferat tjera ka ulje të çmimeve edhe pse qytetarët thonë se këto ulje nuk i vërejnë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU