Miqësorja Shqipëri-Kosovë, triumfojnë kuqezinjtë në “Elbasan Arena”

12.11.2020 11:17

Shqipëria ka arritur të fitojë 2-1 miqësoren ndaj Kosovës në “Elbasan Arena”...

Shqipëria ka arritur të fitojë 2-1 miqësoren ndaj Kosovës në “Elbasan Arena”, në një ndeshje ku kishte shumë mungesa në formacion. Ai që e vendosi këtë ndeshje për skuadrën e Reja-s ishte Uzuni, i cili realizoi një gol dhe dhuroi një asist.
 
Takimi nis i qetë, me dy ekipet që kanë mungesa të shumta në këtë ndeshje. Shkodrani Bekim Balaj zhbllokoi rezultatin në minutën e 31.
 
Myrto Uzuni u shkëput bukur në të majtë të sulmit kuqezi dhe lëshoi një asist fantastik për Balajn, i cili në zgjatje e sipër, e dërgoi topin në portën e Kosovës.
 
Pjesa e dytë nisi me Kosovën më kërkuese, ku spikati në disa raste Zhegrova, por në momentin më të mirë të tyre, Shqipëria shënon edhe golin e dytë. Selahi niset në kundërsulm, ndërsa në fund pason për Uzunin që tregohet i saktë.
 
Në minutën e 83, Muriqi fiton një 11-metërsh, pas një ndërhyrje të parregullt të të riut Çepele. Ekzekutimin e penalltisë e kreu Muriqi, duke vulosur rezultatin në 2-1.
Shqipëria do të luajë tashmë ndaj Kazakistanit në datë 15 nëntor dhe 3 ditë më pas ndaj Bjellorusisë.