Maqedoni
Zjarr në ndërtesën e ekzekutivit, prishet sërish fasada
10.11.2014 16:06
6 ekipe zjarrfikëse dhe 15 zjarrfikës kanë intervenuar në shuarjen e zjarrit që shpërtheu në objektin e qeverisë...

Zjarri është lokalizuar menjëherë dhe nuk është lejuar që i njëjti të përhapet.
Zjarrfikësve gjatë intervenimit u është dashur të thyejnë një pjesë të fasadës së re, për të mundësuar fikjen e zjarrit.
Sipas informacioneve të para, është djegur vetëm materiali ndërtimor, ndërsa dëmet materiale nuk janë domethënëse.
“Nuk u lejua që zjarri të kaplojë më shumë se një pjesë të katit të parë. Bëhet fjalë për zjarr në fasadë dhe dëmet materiale nuk janë domethënëse, pra bëhet fjalë për fasadën dhe disa pjesë të brendshme, një pjesë e izolimit dhe instalimit të energjisë elektrike”, deklaroi Bllagoja Menkovski nga Brigada e Zjarrfikësve.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se shkak për këtë incident janë punimet ndërtimore që po kryhen jashtë godinës.
MPB-ja thotë se zjarri ka rënë gjatë vendosjes së hidroizolimit në kullën me numër 4. Punonjësit e ndërtimit kanë disa muaj që po punojnë në vendosjen e një fasade të re, në stil barok, të godinës së qeverisë.
Ndërsa zjarri ndodh dy javë pas sulmit me granata mbi qeverinë.
SANIJE KASAMI
