Botë

Hidhen poshtë pretendimet e Trumpit, Uashington: ‘Nuk ka prova’ për manipulim të rezultatit

13.11.2020 12:14

Nëpunësit më të lartë federal dhe shtetërorë përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve në SHBA...

Nëpunësit më të lartë federal dhe shtetërorë përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve në SHBA, kanë deklaruar se nuk ka prova për rrezikimin ose kompromentimin e votave të Presidencialeve të tre nëntorit. Në këtë mënyrë departamenti i sigurisë kibernetike dhe i zyrtarëve të zgjedhjeve përgënjeshtrojnë pohimet e presidentit Donald Trump dhe të disa republikanëve se mashtrimet dhe fletëvotimet e humbura mundësuan fitoren e kandidatit të demokratëve Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.              
Zyrtarët amerikanë të sigurisë së sistemit zgjedhor nuk kanë të dhëna që fletë-votime të jenë zhdukur, ose të kenë humbur në sistem, gjatë zgjedhjeve të tre nëntorit. 
 
Zyrtarët thonë se shtetet me rezultate të ngushta i kanë gjithë fletë-votimet në letër, të cilat, nëse lind nevoja, mund të numërohen edhe me dorë. Deklarata u bë disa orë pasi fushata e presidentit Trump pohoi se prodhuesi I pajisjes për përpunimin e votive kishte ‘fshirë’ 2.7 milionë vota anembanë vendit  duke i dhënë qindar mijëra vota rivalit të tij Biden në Pensilvani dhe në shtetet e tjera federale në të cilat presidenti aktual – humbi.
 
Biden fiton në Arizona
 
Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale në shtetin e Arizonës, raportuan mediat amerikane. NBC, CBS, ABC, dhe CNN e shpallën fitues Bidenin në këtë shtet, i cili ka 11 vota elektorale, pas pothuajse një javë që kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor.
Me fitoren në Arizona, Biden ka 290 vota elektorale, ndërkaq presidenti amerikan, Donald Trump 217.
 
Fitorja e Bidenit në Arizona përmbush qëllimin e demokratëve që ta fitojnë në këtë shtet, që për shumë vite me radhë kishte qenë nën dominimin e republikanëve.
Biden është bërë kandidati i dytë presidencial amerikan, në shtatë dekada, që ka fituar në Arizona. Për herë të fundit, Bill Clinton kishte fituar në Arizona në zgjedhjet e vitit 1996.
Aktualisht, për shkak të garës së ngushtë në Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut, fituesi në këto dy shtete nuk është shpallur ende.