Maqedoni

Një tjetër i pandehur pozitiv për Covid-19, shtyhet gjykimi për ratsin “Target – Fortesa”

13.11.2020 13:57

Covid-19 shkaktoi shtyrjen edhe të një gjykimi. I pandehuri i dytë në rastin “Target Fortesa”...

Covid-19 shkaktoi shtyrjen edhe të një gjykimi. I pandehuri i dytë në rastin “Target Fortesa”, Vasil Isakovski, doli pozitiv për Covid-19 dhe meqë i njejti  ka vendim për izolim deri më 21 nëntor, edhe seanca tjetër e planifikuar për më  16 nëntor është shtyrë.
 
Në tetor seancat u shtynë pasi i pandehuri i parë ish-drejtori i UBK-së, Sasho Mijalkov, doli pozitiv ndaj virusit korona. Marrë parasysh rrethanat e reja dhe numrin e madh të palëve të dëmtuara në këtë rast, gjykatësja Zheneta Begtoviq, sugjeroi ndarjen e procedurës kundër të pandehurit Isakovski, por kjo nuk u pranua nga prokurori Trajce Pelivanov. Në gjykimin e sotëm duhej të dëshmonin rreth 40 nga personat e dëmtuar në këtë rast, përfshirë gazetarë, figura publike dhe ish-punonjës në MPB.
 
Në rastin "Target-Fortesa", të dyshuar janë edhe ish-shefi i Drejtorisë së Pestë në MBP, Goran Grujevski dhe punonjësi i UBK, Nikola Boshkoski, që të dy gjykohen në mungesë pas arratisjes në Greqi. Gjithashtu edhe ish-Ministrja e  Brendëshme Gordana Jankulloska, shefi i kabinetit të Mijalkov, Toni Jakimovski, Vladimir Varelov nga UBK dhe pesë persona të tjerë. Ata akuzohen se përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në UBK, në vitet 2008 - 2015, kanë përgjuar në mënyrë të jashtëligjshme 4,286 numra telefoni për të cilat nuk kanë pasur  urdhëresa gjyqësore. Janë përgjuar pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës edhe 1,541 numra të tjerë. Përgjimet e paligjshme në mënyrë direkte dhe indirekte, përfshinë rreth 20 mijë qytetarë.