Maqedoni

Gjykimi për 27 prillin, Ibraimi: Ishte vendim personal të këndoja himnin

13.11.2020 14:19

Ish-deputeti Zekirija Ibraimi, i cili dëshmoi në Gjykatën Penale për ngjarjet e 27 Prillit të viti 2017 në Kuvend...

Ish-deputeti Zekirija Ibraimi , i cili dëshmoi në Gjykatën Penale për ngjarjet e 27 Prillit të viti 2017 në Kuvend, tha se këndimi i himnit shqiptar ishte vendim i tij personal. Ai vlerësoi se nuk ka pasur shkelje të rregullores së Kuvendit, pasi ka folur në foltore në cilësinë e Zëvendës Koordinatorit të grupit parlamentar të Besës. Tregoi para gjykatës për takimin me ish kryeparlamentarin  Trajko Veljanoski, në të cilin mori pjesë edhe Radmilla Sekerinska, e në të cilin  u ra  dakord që seanca të vazhdojë të nesërmen më 28 prill.
 
“Në seancë, deputetët nga VMRO-DPMNE u bënë vërejte deputetëve të LSDM-së se po bashkëpunojnë me një parti që nuk ndihet mirë me himnin kombëtar të shtetit. Kur Krsto Mukoski këndoi himnin maqedonas, unë dola dhe këndova atë shqiptar. Por ky ishte vendimi im personal.”, tha Zekirija Ibrahimi, ish deputet.
 
Gjorçev: Më 27 prill, më së shumti humbi VMRO-DPMNE 
 
Pas tij dëshmoi edhe ish-deputeti i VMRO-DPMNE Vllatko Gjorcev i cili tha se me ngjarjen e 27 Prillit, partia e tij humbi më së shumti dhe disa njerëz përfunduan në burg.
 
“27 Prilli ishte një ditë e keqe për Maqedoninë. Kush fitoi dhe kush humbi? VMRO-DPMNE, ajo humbi më së shumti, tridhjetë njerëz përfunduan në "Goli Otok". Prandaj them që 27 prilli nuk ishte një përjashtim, por një plan i madh. Dikush donte që të ndodhnin probleme.”, tha Vllatko Gjorcev, ish-deputet.
 
Të akuzuar për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit përveç Velanoskit janë edhe  ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristoski dhe ish-drejtori i DSK, Vlladimir Atanasovski që ngarkohen për veprën penale “Cënim terrorist të rendit Kushtetues dhe sigurisë”. Në hetimin për këtë lëndë u përfshinë edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski dhe agjenti i DSK, Nikolla Boshkovski, të dy të  arratisur nga vendi dhe kur prokurorja Villma Ruskoska e ngriti aktakuzën, ata nuk ishin në listën e të akuzuarve dhe u kumtua se procesi për ta do të vazhdojë kur të jenë të qasshëm për autoritetet.
 
FARIJE DAUTI BAKIU