Botë
Rama: Kosova e pavarur-fakt, Vuqiq: Rama provokoi
10.11.2014 17:43
Rama e tha qartë dhe shqip në mes të Beogradit, Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga 108 vende të botës...

Ky realitet është i pandryshueshëm, prandaj bëjnë mirë atë ta njohin edhe vendet tjera evropiane që nuk e kanë njohur deri më tani, përfshirë edhe Serbinë, theksoi kryeministri shqiptar.
“Për Kosovën kemi dy qëndrime të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur teri më tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe evropian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet e integrimit evropian, si dhe euroatlantik dhe siç e kam theksuar në Samitin e fundit të NATO-s, dua ta përsëris hapur edhe këtu, hapur dhe sinqerisht, njohja e Kosovës nga vendet evropiane që ende nuk e njohin atë është në radhë të parë çështje sigurie evropiane. Dhe të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi perspektivës evropiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është më shumë se i mirëpritur prej nesh”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Por, kjo deklaratë e Ramës u përcoll me buzëqeshje ironike nga kryeministri serb, Aleksanër Vuçiç, i cili më pas në reagimin e tij përsëriti retorikën e njohur serbe, se “Kosova është Serbi”.
“Dua të them se nuk i kam pritur këtë provokime prej zotit Rama dhe nuk i kam pritur se do të flasë për Kosovën dhe Metohinë. Nuk e di unë çfarë lidhje ka ai me Kosovën dhe Metohinë. Por, jam i detyruar t’i përgjigjem atij, sepse nuk do të lejoj ta përulë Serbinë në Beograd. Kosova dhe Metohia është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe nuk ka pasur kurrfarë lidhje me Shqipërinë dhe nuk do të ketë. Më vjen keq që zoti Rama e shfrytëzoi edhe këtë mundësi që të flasë në temë për të cilën nuk jemi marrë vesh dhe nuk kemi biseduar, por obligim im është të them se Serbinë nuk do ta nënçmojë askush”- tha kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Rama, po ashtu në pres-konferencën e përbashkët me homologun e tij serb kërkoi nga autoritetet në Beograd që të respektojnë të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Por, Vuçiç i irituar nga ajo që tha Rama, nuk i dha dorën në përfundim të konferencës. Kjo ishte dëshmi për tensionin në të cilin po realizohet vizita e paraparë fillimisht të realizohet në nëntor dhe e prolonguar pas incidenteve në ndeshjen futbollistike Serbi-Shqipëri.
Ndryshe, kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Serbi pas 68 vitesh, prandaj ajo ka zgjuar interesim të madh edhe te mediat.
Pres-konferenca e Ramës u ndoq nga rreth 200 gazetarë, përfshirë edhe korrespodentë të mediave ndërkombëtare. Ndërsa kryeqyteti serb ishte “blinduar” nga forca të shumta policore dhe helikopterë. Për sigurinë e rendit, gjatë kësaj vizite janë angazhuar rreth 3 mijë policë.
Nga Beogradi, Rama do të udhëtojë drejt Luginës së Preshevës, ku prej disa ditësh janë vendosur bilbordet me fotografinë e Ramës dhe me mbishkrimin “Mirësevjen kryeministër”.
Rama në Luginën e Preshevës nesër do të takojë liderët shqiptarë, ndërsa do të ketë edhe një takim me qytetarët në Pallatin e Kulturës.
GYLTENE SINANI
