Maqedoni

Jotova: Nuk mund të ketë kompromis me historinë

16.11.2020 16:54

Zyrtarët bullgar kanë konfirmuar veton në vendimmarrje për çeljen e negociatave të RMV-së me BE-në...

Zyrtarët bullgar kanë konfirmuar veton në vendimmarrje për çeljen e negociatave të RMV-së me BE-në. Zv/Presidentja bullgare Iliana Jotova ka deklaruar se  Bullgaria duhet të mbetet e vendosur në konkluzionet e Këshillit Konsultues të Sigurisë Kombëtare të miratuara nga presidenti vjeshtën e kaluar, si dhe në pozicionin kornizë të qeverisë dhe deklaratën e Asamblesë Kombëtare.  "Nuk mund të ketë kompromis me historinë tonë, veçanërisht kur ka pretendime të mundshme për të ardhmen", ka deklaruar Jotova.
 
"Prej disa muajsh kjo çështje është ngritur në fuqi të plotë, sikur të mos kishim pasur ndonjë marrëveshje paraprake deri më tani. Është e paqartë se ku u ndërpre linja dhe pse u bënë pretendime nga shteti maqedonas për të cilat nuk kemi dëgjuar deri më tani. Ata filluan ta bëjnë diskutabile tekstin e Marrëveshjes së Fqinjësisë. E vërtetë është se që nga fillimi marrëveshja duhej të shoqërohej nga një aneks, kushtuar kategorikisht  të kaluarës tonë historike.", tha Iliana Malinova Jotova, nënkryetare e Republikës së Bulgarisë.
 
Pisonero: KE shpreson në miratimin e kornizës negociuese
 
Ndërkohë bllokada e paralajmëruar nga Bullgaria për në takimin ministror të nesërm në të cilën duhet të miratohet korniza negociuese e BE-së me Maqedoninë e Veriut nuk e dekurajon Komisionin Evropian. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, deklaroi se Komisioni akoma shpreson se negociatat me Maqedoninë e Veriut do të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
 
"Pozicioni ynë është i qartë, Komisioni Evropian është i përkushtuar për ta mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur, që të ndodhë kjo, të gjithë janë të vetëdijshëm se është e nevojshme një marrëveshje në këshill.  Është e pamundur të parashikohet, por është e qartë që ne i inkurajojmë të dy palët t’i forcojnë përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje.", tha Ana Pisonero, zëdhënëse e KE-së.
 
Ajo konfirmoi se Komisioni mbetet në kontakt me Presidencën gjermane, qëllimi i së cilës është t’i fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut deri në fund të këtij viti, ndërsa në të njëjtën kohë Komisioni vazhdon të kontaktojë edhe me Shkupin edhe me Sofjen. Një përpjekje e minutave të fundit po bëhet nga Kryminsitri Zoran Zaev, i cili po qëndron për vizitë në Berlin të gjermanisë, vendi kryesues me BE-në.
 
NAIM RAMADANI