Maqedoni

Neziri: Do kërkoj përgjegjësi se kush e përfshiu policinë

10.11.2014 17:47

Aksionet e fundit policore në rajonin e Pollogut, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe në Çair prishin dhe dëmtojnë imazhin e biznesit në vend...

Ky është konstatimi i ministrit të Ekonomisë, Bekim Nezirit, i cili doli në mbrojtje të bizneseve të vogla dhe të mesme. Sipas tij, ky lloj aksioni hedh poshtë gjithë mundin e këtij dikasteri, i cili bën të pamundurën për të frymëzuar dhe stimuluar biznesmenët të investojnë.
 
Një nga  momentet e papranueshme në aksionet e fundit  të Drejtorisë së Hyrave Publike  dhe  MPB-së është prania e madhe e njësiteve speciale policore para se të angazhohen policët me uniformë.
 
Në bazë të cilave kritere është konstatuar se mund të ketë rezistencë nga pronarët e ndërmarrjeve, të cilët kanë qenë nën kontrollin e inspektorëve, pyet Neziri. 
 
“Unë nuk jam kundër kontrolleve fiskale,  pasi që kontrollet fiskale e grumbullojnë arkën e shtetit dhe indirekt participojnë në subvencione  të cilët ne si ministri i japin sot, mirëpo ligji është decid. Fillimisht duhet të informohet nëse rreziku te një pjesë e R. Maqedonisë është i lartë. Fillimisht në këto aksione duhet përdorur policia e uniformuar  dhe në rast se ka probleme, ka rezistencë nga ato ndërmarrje, të cilat  kontrollohen, atëherë duhet kyçur njësia speciale. Mirëpo në rastet e kontrolleve të fundit, ditëve të cilët vijuan, e keni parë edhe ju se nuk kishte asnjë rezistencë nga asnjë dyqan, nga asnjë ndërmarrje dhe mendimi im personal është se ky kontroll, ky koordinim, pa marrë parasysh, është  i gabueshëm, duke i futur forcat policore në kontroll”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Në seancën e ardhshme qeveritare, Neziri do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat i organizuan kontrollet fiskale me pranin e madh të njësive speciale policore dhe për “efektet” pozitive apo negative të këtij aksioni.
 
REXHEP QAMILI