Maqedoni
Bruksel, hapja e negociatave, RMV-BE, Bullgaria nuk heq dorë nga kërkesat
17.11.2020 10:00
Ministrat e Jashtëm të BE-së, do të mblidhen sot për të diskutuar në lidhje me ftesën që mund t’i bëhet Maqedonisë së Veriut....

Ministrat e Jashtëm të BE-së, do të mblidhen sot për të diskutuar në lidhje me ftesën që mund t’i bëhet Maqedonisë së Veriut, për hapjen e negociatave në konferencën e ardhshme ndërqeveritare.
Ngelet problem Bullgaria e cila ka vënë veton e bllokimit, duke e akuzuar qeverinë e Zaev, për shkelje të marrëveshjes së fqinjësisë në lidhje me minoritetet. Gjithsesi, nga mbledhja e sotme e kryediplomatëve të BE nuk pritet ndonjë vendim. Në prag të vendimit për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, Bullgaria u dërgoi një memorandum shpjegues vendeve anëtare të BE në 16 Shtator, i përbërë nga gjashtë faqe me shpjegime të gjata historike të “ideologjisë shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut.
Bruksel, Shqipëria jashtë agjendës së diskutimit
E ndërsa diskutimet janë përqendruar rreth Maqedonisë, duket se vendimi tashmë për Shqipërinë është marrë. Ajo e ka humbur shansin për të marrë një ftesë në konferencën e ardhshme ndërqeveritare për hapjen e negociatave . Shqipëria, është jashtë agjendës së diskutimeve, pasi qeveria ka 15 kushte për të plotësuar, ku ndryshimet në Kushtetutë dhe ato në Kodin Zgjedhor ishin goditja më e rëndë që iu dha procesit. Përpjekjet e vendeve europiane tashmë po bëhen vetëm për Maqedoninë e Veriut, dhe mosmarrëveshjeve që ajo ka me Bullgarinë e cila kërkon të vendosë veton, për ta penguar.
