Botë

Një vit nga pacienti zero, mbi 55.3 mln të infektuar me Covid-19 në botë

17.11.2020 11:12

Më 17 nëntor mbushet një vit nga kur një 55 vjecar në Hubei të Kinës...

Më 17 nëntor mbushet një vit nga kur një 55 vjecar në Hubei të Kinës, u kthye në “pacientin zero” të pandemisë që do të ndryshonte jetën në planet siç e kishim njohur deri atëherë. Që atëherë, numri i të infektuarve në botë tejkaloi 55.3 milionë, ndërsa më shumë se 1.300.000 persona ndërruan jetë si pasojë e Covid-19. Pacienti zero, u regjistrua  një muaj para se mjekët t’i regjistrojnë rastet e para në Vuhan. Numrat atëherë filluan të rriteshin ndjeshëm, ndërsa infeksioni e kaloi kufirin kinez. Edhe pse më shumë se 38 milionë persona janë shëruar për një vit, virusi nuk po qetësohet.  Kina prej ku filloi gjithçka, regjistron disa raste në ditë, përderisa në SHBA ka 150.000 të porsainfektuar, ndërsa në disa vende evropiane mbi 40.000. Në Kinë që nga fillimi i pandemisë janë infektuar pak më shumë se 86.000 persona, ndërsa 4.634 kanë ndërruar jetë. 
 
Numri i rasteve aktive në botë,  momentalisht është mbi 15.5 milionë. Pandemia më shumë ka goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ndiqen nga India, Brazili, Franca, Rusia Spanja, Britania, Argjentina, Italia, Kolumbia, Meksika, Peruja, Gjermania dhe Irani. 
 
Një vit nga pacienti zero, të gjithë në pritje të vaksinës anti covid
 
Tashmë të gjithë presin vaksinën antikovid. Komisioni Europian do të autorizojë një marrëveshje me firmën gjermane “CureVac” për të siguruar deri në 405 milionë doza të një vaksine potenciale për Covid-19. KE shpreson në finalizimin e një marrëveshje së shpejti me kompaninë Moderna, vaksina e së cilës rezultoi të ishte efikase deri në 94,5%. Paraprakisht, Komisioni Europian ka nënshkruar marrëveshje për furnizim me doza të vaksinave edhe me Johnson & Johnson, AstraZeneca, Sanofi dhe Pfizer.
 
Edhe Britania e Madhe ka siguruar një marrëveshje fillestare për 5 milionë doza të vaksinës Moderna, bashkë me marëveshjet paraprake për  350 milionë doza vaksinash nga gjashtë furnitorë të ndryshëm, përfshirë Pfizer Inc, vaksina e së cilës u gjet të ishte më shumë se 90% efektive dhe 100 milionë doza të një kandidati të AstraZeneca / Oxford që pritet të raportojë, së shpejti, rezultatet.
 
SEDAT SELIMI