Botë

Berisha- Ramës: Beogradi të priti pa flamur

10.11.2014 18:22

Tensionin mes kryeministrave, Rama e Vuçiç, për shkak të përmendjes së Kosovës, Sali Berisha...

Tensionin mes kryeministrave, Rama e Vuçiç, për shkak të përmendjes së Kosovës, Sali Berisha e ka komentuar sikur të ishte një konferencë për shtyp e krerëve të Fedaratave të Futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë.
 
Përmes disa postimeve të njëpasnjëshme në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Berisha shkruan se konferenca e shtypit Vuçiç-Rama degradoi sikur të ishte konferencë shtypi midis Armand Dukës dhe kreut të Federatës serbe të Futbollit.
 
Berisha ka komentuar disa herë mbi vizitën e kryeministrit Rama në Beograd, teksa ka vënë në dukje se shefi i qeverisë shqiptare është pritur në Serbi me protokoll, por pa flamurin shqiptar. Duke e ilustruar me një foto, Berisha shkruan se ky akt i serbëve të rikujton dhunën në ndeshjen e kombëtareve më 14 tetor.
 
Me mungesën e flamurit shqiptar në aeroport, Beogradi pret Ramën si asnjë kryeministër tjetër, si vizitor të dorës së dytë, si për t’i thënë se ti nuk ke flamur. Ky akt fyes të rikujton fishkëllimat në stadiumin e Beogradit gjatë himnit tonë kombëtar me datën 14 nëntor. 
 
Në një postim më të hershëm, Berisha shkruan se vizita e kryeministrit shqiptar po trajtohet si pelegrinazh nga ato që demokrati i cilëson si mediat e Ramës.
 
Rama dhe mediat e tij e trajtojnë vizitën e sotme në Beograd si pelegrinazh. Beogradi e pret në aeroport me protokoll zyrtar, por jo me flamurin shqiptar”- ka shkruar Berisha.
 
Vizitën e ka komentuar edhe një tjetër ish-kryeministër i Shqipërisë, Pandeli Majko. “Ra ky dron dhe u pamë… Sot për herë të parë serbët mësuan të dëgjojnë me “protokoll” në shtëpinë e tyre opinionin e shqiptarëve. Edi Rama vërtetoi vetveten. Vuçic po ashtu.
 
Fillim i mirë në vizitën e kryeministrit shqiptar. Për të tjerat fjalën e ka koha”, shkruan Majko.
 
LULJETA NDOKA