Botë

Trump shkarkon kreun e agjencisë për sigurinë e zgjedhjeve

18.11.2020 09:30

Presidenti Donald Trump shkarkoi të martën drejtorin e agjencisë federale që garantoi besueshmërinë e zgjedhjeve të vitit 2020....

Trump shkarkoi drejtorin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, Christopher Krebs me një postim në Twitter, duke thënë se deklarata e tij e fundit në mbrojtje të sigurisë së zgjedhjeve ishte “shumë e pasaktë”.
 
Shkarkimi i Krebs, një i emëruar i Trump, vjen pasi presidenti po refuzon të pranojë fitoren e Presidentit të zgjedhur, demokratit Joe Biden dhe po largon nga detyra zyrtarë të nivelit të lartë që i konsideron si jo besnikë sa duhet. Ai pushoi nga puna Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper më 9 nëntor, pjesë e ndryshimeve më të gjera që vendosën besnikët e zotit Trump në pozicione të larta të Pentagonit.
 
Krebs, një ish-ekzekutiv i Microsoftit, drejtoi agjencinë e njohur si CISA, që nga krijimi i saj pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet 2016 deri në zgjedhjet e nëntorit. Ai u vlerësua nga të dyja krahët e politikës ndërsa CISA bashkërendonte përpjekjet federale, shtetërore dhe lokale për mbrojtjen e sistemeve zgjedhore nga ndërhyrjet e huaja ose të brendshme.
 
CISA lëshoi deklarata ku hidhte poshtë pretendimet se një numër i madh të vdekurish rezultonin si votues ose që dikush mund të ndryshonte rezultatet pa u diktuar. Ai gjithashtu shpërndau një deklaratë nga një koalicion zyrtarësh federalë dhe shtetërorë duke arritur në përfundimin se nuk kishte prova që votat ishin komprometuar ose ndryshuar në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se këto votime ishin më të sigurtat në historinë amerikane.
 
Krebs shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj presidentit dhe u përpoq të qëndronte mbi grindjet politike, megjithëse ai u përpoq të kundërshtonte dizinfromatat që vinin nga presidenti dhe mbështetësit e tij. “Nuk është detyra jonë të kontrollojmë vërtetësinë e asaj që thotë presidenti,” tha ai në një konferencë me gazetarët në prag të zgjedhjeve.
 
CISA punon me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë që menaxhojnë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara si dhe me kompani private që sigurojnë pajisjet e votimit për të garantuar sigurinë kibernetike dhe rreziqe të tjera gjatë monitorimit të votimit dhe numërimit të votave nga një dhomë kontrolli në selinë e saj pranë Uashingtonit. Agjencia punon gjithashtu me industrinë dhe shërbimet për të mbrojtur bazën industriale të vendit dhe rrjetin e energjisë nga kërcënimet.