Maqedoni

Ngec nisja e bisedimeve me Shkupin e Tiranën, s’ka konsensus mes vendeve të BE-së

18.11.2020 11:33

Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën sërish të gjejnë të martën konsensus mes tyre...

Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën sërish të gjejnë të martën konsensus mes tyre për kornizën e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë e cila do t’i hapte rrugën Konferencës së parë Ndërqeveritare mes dy vendeve dhe BE-së, që shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim.
 
Përfaqësuesi i presidencës gjermane, ministri i Shtetit Michael Roth, tha se “Duhet të bëjmë dallimin mes konflikteve dypalëshe, pikave të fërkimit që ka ende mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nga njëra anë, dhe BE-së si një të tërë, nga ana tjetër. Eshtë e qartë se duam të ndihmojmë në gjetjen e zgjidhjeve të arsyeshme, se duam të eleminojmë të gjitha pengesat në mënyrë që konferencat ndërqeveritare të zhvillohen, pse jo dhe përgjatë presidencës sonë. Nuk është ky momenti që problemet dypalëshe ende të pazgjidhura të ngrihen, në nivel europian. Duhet të japim sinjale të besueshmërisë së BE-së, dhe t’ja japim këtë sinjal Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të panumërta për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Është një rrugëtim shumë i gjatë dhe i vështirë, por tani duhet të nisim bisedimet konkrete”, tha Roth.
 
Edhe zëvendës presidenti i Komisionit europian Maros Sefkovic, i ngarkuar për Çështjet e Marrëdhënieve ndërinstitucionale, tha se “Duhet të dyfishojmë përpjekjet, me qëllim që çështjet e ngritura nga Bullgaria kundrejt Maqedonisë së Veriut të gjejnë një zgjidhje dhe të arrihet në një marrëveshje për kornizat e bisedimeve”.
 
Në të njejtën linjë ishte dhe zëvendës presidenti i KE-së Sefkovic: “Besojmë se ky do të ishte një sinjal i fortë për të gjithë rajonin, se procesi i zgjerimit funksionon dhe prodhon rezultate”.
 
Komisioneri për Zgjerimin Oliver Harvelyi, shkruajti në Twitter se “Puna duhet të vazhdojë dhe është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje për kornizat negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që Konferencat Ndërqeveritare të mund të mbahen këtë vit”.