Maqedoni
ISHP: Nga 9-15 nëntor, 7.355 raste të reja pozitive
19.11.2020 11:36
Sipas raportit javor të Institutit për shëndet publik për periudhën prej 9 deri më 15 nëntor...

Sipas raportit javor të Institutit për shëndet publik për periudhën prej 9 deri më 15 nëntor, janë testuar gjithsej 20.980 materiale në laboratoret në të cilat bëhet testimi molekular për prani të SARS-CoV-2, me rritje prej 6,4 për qind në raport me javën e kaluar. Janë regjistruar 7.355 raste të reja pozitive nga 35 qytete të vendit me rritje të pakonsiderueshme në raport me javën e kaluar, kur u regjistruan 7.280 raste të reja, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Janë regjistruar persona të sëmurë nga të gjitha grupmoshat. Më e përfaqësuar është grupmosha e personave mbi 60 (n=1646, 22,4 për qind). Një numër i madh i të sëmurëve u regjistruan edhe tek personat në grupmoshat prej 30 deri 39 vjeç (n=1496; 20,3 për qind), nga 40 deri 49 (n=1435; 19,5 për qind), prej 50 deri 59 (n=1410; 19,2 për qind) dhe prej 20 deri 29 (n=961; 13,1 për qind). Numër më i vogël është regjistruar tek fëmijët e moshës prej 9 vjeç (n=120; 1,6 për qind) dhe prej 10 deri 19 vjeç (n=287; 3,9 për qind). Lidhur me distribuimin sipas gjinisë, janë paraqitur 3.731 (50,7 për qind) persona tek meshkujt dhe 3.624 (49,3 për qind) tek gjinia femërore.
Pas dy testeve të marra negative për prani të SARS-CoV-2 apo me përdorim të algoritmit të ri, si të shëruar llogariten 3.524 persona të cilët kanë qenë të hospitalizuar apo në mjekim shtëpiak, 11,6 për qind më shumë se javën e kaluar.
Janë paraqitur 172 raste të vdekjes nga 23 qytete, rritje prej 35,4 për qind në krahasim me javën e kaluar. Lidhur me moshën, 135 persona kanë qenë mbi 60 persona, 26 persona të moshës prej 50 deri 59 vjeç, 9 raste të vdekjes janë paraqitur nga grupmosha prej 40 deri 49 vjeç dhe dy raste në grupmoshën prej 30 deri 39 vjeç. Nga rastet e vdekjes, në mënyrë epidemiologjike janë hulumtuar 155 apo 90,1 për qind.
Në pajtim me raportin e fundit që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ia ka dërguar Komisionit për sëmundje ngjitëse në vend, 21 fëmijë të cilët vizitojnë kopshte kanë qenë pozitivë me virusin, si dhe 179 të punësuar. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska thotë se këto numra dhe gjendja e tanishme nëpër kopshte tregojnë se ato akoma mund të qëndrojnë të hapura. Për mbyllje të mundshme do të vendosë Komisioni për sëmundje ngjitëse nëse për atë udhëzon gjendja epidemiologjike.
Nga ana tjetër, kontrollet e shërbimeve të inspektimit, nga 9 deri më 15 nëntor, rezultuan në mbylljen e dy objekteve hotelierike, një në Gostivar dhe një në Ohër për mosrespektim të protokolleve të mbrojtjes. Gjatë asaj periudhe, 13.676 vendime janë lëshuar për izolimin e personave të sëmurë me KOVID, si dhe të personave që ishin në kontakt me të sëmurë me koronë.
Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në lidhje me masën për mbajtje të maskës mbrojtëse në fytyrë, janë regjistruar 725 shkelje, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Gjithsej numri i të diagnostikuarve me Kovid-19 në vendin tonë, që nga fillimi i epidemisë arrin në 50.015, numri i pacientëve të shëruar është 29.583, të vdekurve 1.397.
Janë duke u ndërmarrë aktivitete për të rritur kapacitetin për trajtimin spitalor të pacientëve me kovid, ndërsa në mjekim është kyçur edhe stafi shtesë i specializantëve privatë për t’iu përgjigjur nevojave. Që nga sot, të infektuarit me Kovid-19 do të trajtohet edhe në Klinikën e syve. Dje, janë regjistruar 1.406 të infektuar rishtas dhe numri i rasteve aktive është 19.035.
