Maqedoni

Konferenca e parë ndërqeveritare, Bullgaria: Mundësitë reale për dhjetorin, u shteruan

19.11.2020 15:33

Maqedonia e Veriut nuk respektoi Marrëveshjen për Fqinjësi të mirë...

Maqedonia e Veriut nuk respektoi Marrëveshjen për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Elita e politikanëve maqedonas vazhdon plot 30 vite të merret me retorikën antibullgare, thotë zv.kryeministri bullgar dhe ministri i mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov.

Mundësitë reale për t 'u mbajtur konferenca e parë ndërqeveritare deri në fund të vitit sipas tij, janë shterur. Akuza për  fushatë anti-bullgare ne Shkup, ka edhe nga ministjra e jashtme bullgare, Zaharieva.

"Atë që e bëni nuk është e mirë. Bisedoni me ne, ndërsa pas shpine e errësoni Bullgarinë. Nuk ka kush të na bëjë presion. Gara mbaroi atë ditë. Tash e tutje, po që se RMV bëhet gati, ka mundësi deri në fund të vitit të ndryshohet  rendi i ditës që çështja e bisedimeve të vihet në agjendë. Por kjo është vetëm mundësi teorike, sepse realisht ka mbetur edhe një muaj deri në përfundimin e presidencës gjermane, kështu që mundësi reale nuk ekziston.", tha zv.kryeminsitri bullgar, Krasimir Karakaçanov.

"Autoritetet në Shkup e kanë ditur për një kohë të gjatë se ka probleme që nuk i kanë zgjidhur në marrëdhëniet bilaterale me ne. Rritja e fushatës "anti-bullgare” është gjithashtu e papranueshme për Bullgarinë.", tha Ekaterina Zaharieva, ministre e jashtme e Bullgarisë.

Këshilli i ambasadorëve të RMV-së: Bullgaria të repektojë vlerat kryesore të unionit

Bllokada bullgare është kritikuar nga Këshilli  i Ambasadorëve të RMV-së. Kërkojnë nga fqiu lindor, që si shtet anëtar i BE-së, të respektojë vlerat kryesore të unionit.

"Nuk mund të zhvillohen raportet fqinjësore  duke injoruar  të kaluarën e popujve, gjuhët e tyre, vlerat kulturore nga pozicioni i të drejtës së vetos, si e drejtë ekskluzive e vendit anëtarë të BE-së ndaj vendeve aspirante. Me këtë  shembull jo të mirë, Bullgaria nuk u paraqit para botës si shtet me orientim evropian.", thuhet në kumtesë.

Qeveria: Agjenda europiane, mbetet prioritet për vendin

Ndërkohë zyrtarët e vendit theksojnë se edhe pas bllokadës bullgare, RMV nuk heq dorë nga përpjekjet për të gjetur zgjidhje me Bullgarinë  dhe se agjenda evropiane, mbetet prioritet qeveritar.

Ministri Osmani në një video konferencë me anëtarë të grupit joformal të deputetëve “Miq të Maqedonisë së Veriut” në Parlamentin Evropian, nuk humb shpresat se shfrytëzimi racional i kohës, mund të sjell mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit.

“Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me të gjitha përpjeket të kërkojë zgjidhje racionale për kapërcimin e çdo dallimi me Bullgarinë dhe mbetet e përkushtuar në procesin reformues, dhe të gjitha segmentet tjera që janë pjesë e prioriteteve tona eurointegruese. Si rrjedhojë, ne ende vlerësojmë se ekziston gjasa, nëse e shfrytëzojmë kohën e çmueshme para nesh, për t’u mbajtur Konferenca ndërqeveritare në kuadër të presidencës gjermane.”, tha Bujar Osmani.

Edhe zv.kryeministri për eurointegrime, Nikolla Dimitrov, në një video konferencë për Ballkanin Perëndimor është shprehur se resori i tij mbetet i përkushtuar në rrugën euro-atlantike, por në raport me Bullgarinë, thekson se mund të bisedojnë për gjithçka, por jo edhe për gjuhën dhe identitetin. (Nermine Mulaki, TVM2)