Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë: Rritet kapaciteti për trajtim të kovid pacientëve

20.11.2020 15:19

Në klinikën për Sëmundje të Syve në Shkup janë siguruar 43 shtretër shtesë për kovid pacientët....

Në klinikën për Sëmundje të Syve në Shkup janë siguruar 43 shtretër shtesë për kovid pacientët. Reparti Kovid i Klinikës për sëmundjeve të syve filloi të punojë në ora 8 të mëngjesit prej 23 shtretërish, ndërsa kovid qendra në SPQ “8 Shtatori” është zgjeruar me 20 vende të reja. Atje, kapaciteti nga 80 të deritanishmet është rritur në 100 shtretër spitalorë”, informon Ministria e Shëndetësisë. 
 
“Qendra Kovid e Klinikës për sëmundje të syve është pjesë e Klinikave interne dhe do të angazhojë staf nga këto klinika të përbërë nga infektologë, internistë dhe anesteziologë, si dhe personel mjekësor të nivelit të mesëm. Klinika është e pajisur me furnizim me gaz dhe mund të kujdeset për të gjithë pacientët që kanë nevojë për terapi me oksigjen”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. 
 
Së shpejti pritet të lëshohet edhe kovid qendra e Klinikës për vesh, hundë dhe fyt, ku pritet zgjerimi i kapaciteteve me 50 shtretër për pacientë me Covid-19. Edhe Klinikat private janë shprehur të gatshme të vendosin kapacitetet e tyre nën menaxhimin e Qeverisë për të përballur valën e dytë të virusit korona. Nga Klinika Zhan Mitrev thonë se do të vihen në funksion të qytetarëve, por kërkon shpjegim për mënyrën e funksionimit. 
 
“Që nga fillimi pandemisë kemi shprehur gatishmëri për t’i dhënë 40 shtretër për kujdes intensiv. Punojmë me kapacitet të plotë, por personeli jonë është i lodhur, ndërsa një pjesë e tyre janë në izolim. Për momentin 80 shtretër janë të zënë dhe në radhë kemi edhe 30 pacientë që presin të shtrihen. Ashtu siç lirohen në baza ditore, ashtu plotësohen”, njoftojnë nga Klinika, Zhan Mitrev.
 
Minsitria e shëndetësisë bën të ditur se në Covid – qendrat në Shkup gjatë 24 orëve të kaluara janë hospitalizuar 65 pacientë të rinj, me çka numri i përgjithshëm i pacientëve të dyshuar dhe të konfirmuar me Covid-19 që mjekohen në repartet infektive të kryeqytetit arrin 459 persona. Gjatë ditës nga trajtimi spitalorë janë liruar 33 pacientë të shëruar. Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për gjithsej 344 të punësuar të infektuar me kovid 19. Numri më i madh i rasteve aktive është regjistruar pranë Byrosë për Siguri Publike. Poashtu për shkak të kontakteve me të sëmurë gjithsej 302 punonjës janë në izolim.
 
GYLTENE SINANI