Rama sot viziton Preshevën

11.11.2014 10:21

Kryeministri shqiptar Edi Rama pas Beogradit do të vizitojë sot Luginën e Preshevës........

Gjatë vizitës së tij, kryeministri shqiptar përveç që do të takohet me liderët politikë në Preshevë, ai do të takohet me biznesmenë dhe maturantë nga Lugina e Preshevës.

Siç ka mësuar presheva.com, raporton ATSH, kryeministri shqiptar do të arrijë në ndërtesën e komunës së Preshevës rreth orës 11, ku dhe do të takohet me kryetarin e Komunës së Preshevës.

Kuvendi komunal në Preshevë, do të mbajë një seancë kuvendi të jashtëzakonshme ku do të shpallë kryeministrin Edi Rama qytetar nderi i Komunës së Preshevës.

Kryeministri Rama do të ketë një takim në kabinetin e kryetarit të komunës së Preshevës, e pastaj do të shkojë në shtëpinë e kulturës "Abdulla Krashnica".

Rama do të rikthehet edhe një herë për t’u përulur para lapidarit të Ushtria çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, i hequr në mënyrë të dhunshme në vitin 2013.

Më 28 janar të vitit 2012, Rama është përulur para këtyre dëshmorëve, por në cilësinë e kreut të opozitës shqiptare të asaj kohe. Ndërsa vizita tjetër e ish-kreut të opozitës Edi Rama në Preshevë ka qenë më 18 nëntor të po atij viti, kur ai është nderuar me titullin “Mirënjohje e Preshevës”.

Sipas axhendës, pritet që kryeministri Rama të mbajë një fjalim në podiumin e sheshit “Liria” si dhe të kryejë një vizitë në maternitetin e financiar pjesërisht nga qeveria Shqiptare, për të vijuar më tej me vizitë në institucione arsimore dhe biznese.