ASH-Alternativa, duhet të kujdesemi për kultivimin e gjuhës sonë

22.11.2020 16:57

Urime për 22 nëntorin, kanë ardhur edhe nga partite opozitare shqiptare.

Urime për 22 nëntorin, kanë ardhur edhe nga partite opozitare shqiptare. Festa e Alfabetit, që është kulminacioni i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, gjithnjë vjen për të na e kujtuar se identiteti ynë kombëtar është ngritur mbi shkrimin, gjuhën dhe kulturën, gjë që na bën të mburremi se ne jemi shqiptarë për shkak të gjuhës shqipe, thekson kreu i Alternativës, Afrim Gashi.

Por opozita njëherit ka lëshaur akuza për nëpërkëmbjen e gjuhës shqipe në 20 vitet e fundit në vend.

“Festa e Alfabetit na flet edhe për kujdesin që duhet ta kemi ndaj gjuhës sonë dhe përdorimin e saj zyrtar në vendin tonë, që po ashtu mbetet një synim për t'u përmbushur dhe plotësuar” – tha Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi.

“Është e trishtueshme kur shumë titullar institucionesh qofshin edhe ata shqiptar nuk e përfillin gjuhën shqipe. Për këto shkelës ne së bashku krijuam edhe inspektoratin i cili do të dënonte refuzimin e injorimin e gjuhës shqipe, por fatkeqësisht ky institucion udhëhiqet nga një kuadër i një partie politike e cila për dy dekada një gjë premton e një gjë tjetër bënë” – u shpreh Bujare Abazi, nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndërsa në urimin e kreut të PDSH-së Mendu Thaçi thuhet se sot, përkujtojmë 112 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit ku u themelua Alfabeti i përbashkët shqip, një fitore e madhe që bashkoi shqiptarët anë e mbanë botës me një shtyllë të fuqishme të gjuhës dhe shkollës shqipe. (Gyltene Sinani, TVM2)