Maqedoni

Shtëpia e të moshuarve në Kumanovë, 2 punonjës dhe 10 të moshuar, Covid pozitivë

23.11.2020 14:03

Dhjetë përdorues të shërbimeve dhe dy punonjës të Shtëpisë së të Moshuarve “Zafir Sajto” në Kumanovë...

Dhjetë përdorues të shërbimeve dhe dy punonjës të Shtëpisë së të Moshuarve “Zafir Sajto” në Kumanovë janë pozitivë ndaj Covid 19, njoftuan zyrtarët nga institucioni. QSHP në Kumanovë kreu një testim  të të gjithë të punësuarve dhe të moshuarve për të cilët kjo qendër përkujdeset, pasi dy javët e fundit u vërejtën të punësuar me simptoma të gripit.
 
"Ende bëhet fjalë për gjendje të lehtë klinike. Edhe pse ata rezultuan pozitivë. Shpresojmë se gjendja do të mbetet kështu. Ne edhe më herët ndërmorëm masa rigoroze për të parandaluar përhapjen e virusit korona në Shtëpinë e të Moshuarve, bëmë izolimin e të dyshuarve  e do të vazhojmë edhe më tej me masat. Personeli ynë I ka njohuritë e nevojshme e shpresojmë që masat të japin rezultate e të mos ketë shpërndarje më të madhe të virusit.", tha Dejan Stojanovski, drejtor i Shtëpisë së të Moshuarve, Kumanovë.
 
Për situatën është informuar edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Në valën e parë të virusit, në këtë qendër kishte dy të punësuar dhe një të infektuar me Covid 19 nga personat për të cilët qendra përkujdeset. I moshuari atëherë u trajtua në spitalin e Kumanovës. Qendra ofron shërbime në shtëpi për 135 qytetarë të moshuar. Për të gjithë ata që do të shfaqin simptoma, mjekët e familjes do të përshkruajnë terapinë e duhur e cila do të sigurohet nga infermierët që i vizitojnë nëpër shtëpi.
 
ERSAN PAJAZITI