Maqedoni
Xhaferi vendos në rend dite rregulloren, Rexhepi: S’kemi konsensus, veprim i njëanshëm
23.11.2020 16:19
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka futur në procedurë parlamentare propozimin për plotësimin e Rregullores së punës së Kuvendit...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka futur në procedurë parlamentare propozimin për plotësimin e Rregullores së punës së Kuvendit, për të mundësuar funksionimin e institucionit ligjvënës “on-line”. Përkatësisht, kjo pikë është vendosur në propozim rendin e ditës së seancës së 22, të planifikuar për ditën e enjte, më 26 nëntor.
Ky veprim nuk është mirëpritur nga opozita, e cila për këtë shkak ka bojkotuar koordinimin e regullt javor me kryeparlamentarin.
“Një prej arsyeve kryesore që nuk ishim sot në koordinim është fakti që, në bazë të gjitha parametrave, Rregullorja për punën e Kuvendit duhet të miratohet me konsensus, dhe atë e kemi diskutuar disa herë në koordinim te kryetari i Kuvendit dhe, nuk kemi pasur konsensus dhe, ai, tani në mënyrë të njëanshme e sjell propozim ligjin për rregullore, me çka e then çdo lloj marrëveshje që kemi arritë në koordinim. Andaj konsiderojmë që pjesëmarrja e jonë në këtë kohë është e panevojshme.”, tha Skënder Rexhepi, koordinator i GP të ASh-Alternativa.
Me propozimin për plotësimin e Rregullores së punës së Kuvendit, në procedurë të shkurtuar, parashikohet përfshirja e deputetëve me Kovid-19 dhe në vetë-izolim në punën e Parlamentit dhe trupat punues, nga distanca. Përkatësisht, propozimi për plotësimin e Rregullores përmban 12 nene, me të cilët jepet mundësia që Kuvendi dhe trupat punues të mbajnë séanca nga distanca ndërsa, deputeti të ketë mundësi dhe detyrim që të merr pjesë në to pa pjesëmarrje fizike, me përdorimin e teknologjisë informatike-komunikuese të sigurtë, kur për shkak të gejndjes shëndetësore përbën rrezik për shëndetin e deputetëve dhe nuk mund të merr pjesë dhe të vendos me prezencë fizike.
Për të miratuar propozimin, shumica ka nevojë për 61 deputetë, që aktualisht nuk i ka, për shkak se disa deputetë mungojnë për arsye shëndetësore, përfshi edhe kontaktin ose infektimin me virusin Kovid 19.
Nga ana tjetër, partitë e opozitës të udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kundërshtojnë çdo veprim onlajn të Kuvendit, pasi konsiderojnë se shumica qeverisëse shfrytëzon situatën me epideminë për të krijuar mekanizëm që të bëjë funksionale shumicën e brishtë prej 62 deputetë. Veç kësaj, konsiderojnë se ky ndryshim është në kundërshtim me Kushtetutën.
SHPËTIM NUREDINI
