AlternAtivA: Qeveria dështoi, faturën e paguajnë qytetarët

23.11.2020 17:55

AlternAtivA ngre alarmin për atë që e cilësojnë mungesë e seriozitetit të Qeverisë....

AlternAtivA ngre alarmin për atë që e cilësojnë mungesë e seriozitetit të  Qeverisë, për menaxhimin e pandemisë.

Nga kjo parti thonë se duhen angazhuar urgjentisht  të gjitha resurset profesionale. Sipas tyre, qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse nuk i morën në kohë masat e nevojshme për parandalimin e infeksionit me SARS COV2 dhe e neglizhuan nevojën për t’u përgatitur me valën e dytë.

Si pasojë e kësaj, vendi ynë sot po përballet me valën e dytë të pandemisë, duke shënuar numër shumë të madh të të infektuarve, të sëmurëve me COVID-19 dhe të vdekjeve.

“Në kohën që ministri i Shëndetësisë deklaron se edhe kapacitetet spitalore të spitaleve private do të angazhohen në përballjen me të sëmurët me Covid-19, në kohën kur Qeveria ka shpallur gjendje krize për 30 ditë, është e kuptueshme se sistemi shëndetësor publik në vendin tonë është buzë kolapsit dhe se shëndeti publik është rënduar tejmase. Nga kjo katrahurë e sistemit tonë shëndetësor po vuajnë edhe të sëmurët kronikë dhe të sëmurët e tjerë, të cilët diagnostikohen dhe trajtohen me vonesë ose që vazhdojnë të jenë të padiagnostikuar. Tashmë është e dukshme se Qeveria ka dështuar, por faturën e këtij dështimi po e paguajnë qytetarët me pasoja shëndetësore, me pasoja ekonomike e sociale, por  fatkeqësisht një numër jo i vogël i rasteve edhe me jetën e tyre” – u shpreh Hysni Ismaili nga AlternAtivA.