Botë

Trump i hap rrugë tranzicionit për Shtëpinë e Bardhë

24.11.2020 09:55

Presidenti Donald Trump tha të hënën se i ka hapur rrugën tranzicionit për presidentin e zgjedhur Joe Biden...

Gati tri javë pas zgjedhjeve presidenciale, presidenti Donald Trump i ka hapur rrugën tranzicionit për presidentin e zgjedhur Joe Biden, duke udhëzuar administratoren e agjencisë federale të Shteteve të Bashkuara që është e ngarkuar me këtë proces, që “të bëjë atë që duhet bërë”, megjithëse do të vazhdojë me sfidat ligjore.

Përpjekjet e presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, që kishin pësuar disa disfata, duket se po i afrohen fundit.
 
Pas dhënies së autorizimit ,  ekipi i Biden tani do të ketë fonde federale dhe një zyrë për të kryer tranzicionin gjatë dy muajve të ardhshëm.
 
Kjo, gjithashtu, bën të mundur që Biden dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris të marrin njoftime të rregullta të sigurisë kombëtare që merr edhe Trump.
 
Një deklaratë nga ekipi i tranzicionit i Biden, thuhej se takimet do të fillonin me zyrtarët federalë lidhur me përgjigjen e Uashingtonit ndaj pandemisë së koronavirusit, së bashku me diskutimet e çështjeve të sigurisë kombëtare.
 
Trump ka pretenduar në mënyrë të përsëritur pa prova se ai fitoi garën dhe ka kaluar javë të tëra duke ofruar pretendime të pabazuara për mashtrim të gjerë me votat, të cilat në mënyrë të përsëritur janë hedhur poshtë nga gjykatat.
 
Akti Presidencial për Tranzicionin i vitit 1963 nuk parashikon ndonjë afat të prerë brenda së cilit duhet të veprojë GSA, por agjencia ka vepruar historikisht pasi organizatat e medias parashikojnë fituesin, gjë që ndodhi më 7 nëntor.
 
Biden pritet të marrë detyrën, më 20 janar pasi kishte fituar zgjedhjet me vota elektorale të mjaftueshme për të siguruar fitoren e Kolegjit Zgjedhor. Demokrati kryeson në votën popullore me më shumë se 6 milionë vota. Republikanët e tjerë janë distancuar gradualisht nga presidenti Trump ditët e fundit dhe kishin nxitur fillimin e procesit të tranzicionit.