Francë, Macron: Më e keqja kaloi, të ruhemi nga vala tjetër
Franca nis këtë fundjavë lehtësimin e masave kundër pandemisë...

Franca nis këtë fundjavë lehtësimin e masave kundër pandemisë, duke përfshirë këtu dhe hapjen e disa dyqaneve, njoftoi presidenti Emmanuel Macron.
Shefi i Elizesë shtoi se njerëzit do të jenë në gjendje të shijojnë momentet e festave bashkë me të familjet e tyre në periudhën e Krishtlindjeve, por baret dhe restorantet sipas tij do të mbeten të mbyllura deri në 20 janar. Më e keqja e valës së dytë në vend sipas kreut te shtetit, tashmë mund të thuhet se ka kaluar, edhe pse në fjalimin televiziv drejtuar vendit theksoi se duhet bërë kujdes për të shmangur një valë të tretë.
“Duhet të bëjmë ç’është e mundur që të parandalojnë një valë te tretë dhe një karantinë të tretë. Nëse deri në 15 dhjetor infektimet e reja dhe shtrimet në spital do të jenë në nivele të qëndrueshme, atëherë bllokimi mund të hiqet në masë më të madhe. Do të jemi në gjendje të lëvizim përsëri pa autorizim, përfshirë dhe udhëtimet mes rajoneve dhe t’i kalojmë Krishtlindjet me familjet tona. Unë i bëj megjithatë apel ndjenjës tuaj të përgjegjësisë: kjo sigurisht nuk do të jetë një festë Krishtlindjeje si të tjerat”, tha Macron.
Numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusi në Francë ka tejkaluar shifrën 50 mijë. Instituti i Shëndetit Publik thotë se me 9.155 raste të shënuara në 24 orët e fundit numri i rasteve ka arritur në 2.153.815.
Për shkak të COVID-19 në vend në 24 orët e fundit kanë humbur jetën në spitale 458 persona dhe 551 persona në shtëpitë e kujdesit gjatë 4 ditëve të fundit duke e rritur numrin e viktimave në 50.237.
Në spitale vazhdojnë trajtimin 30.622 persona prej të cilëve 4.289 në kujdesin intensiv ndërkohë që me 2.087 të shëruar numri i të shëruarve ka arritur në 154.679.
