Maqedoni
Covid 19 në Strugë dhe Ohër, qytetarët tani testohen që në simptomat e para
25.11.2020 14:23
Numri i pacientëve Covid të infektuar e të atyre që kanë humbur jetën nga pandemia, në Strugë dhe Ohër...

Numri i pacientëve Covid të infektuar e të atyre që kanë humbur jetën nga pandemia, në Strugë dhe Ohër, vazhdon të jetë i lartë. Një nga shkaqet e mortaliteteve, sipas mjekëve, është vonesa në kërkimin e ndihmës shëndetësore, por edhe mosha dhe sëmundjet kronike nga të cilat kanë vuajtur edhe më herët viktimat. Në valën e parë, në Strugë kishte më shumë mortalitete dhe qytetarët nuk i paraqisnin simptomat dhe nuk shkonin të testoheshin. Tani situata është më ndryshe. Pacientët janë më të vetëdijshëm për rreziqet e Covid 19 dhe kërkojnë ndihmë që në simptomat e para.
"Është i madh numri i personave që duan të testohen e që në simptomat e para, humbjen e shijes apo nuhatjes, ose temperaturë e ulët, ata vijnë të testohen.", tha Sasho Toçkov, Drejtor i ISHP-Ohër.
Sipas statistikave të Qendrës së Shëndetit Publik, dinamika e mortaliteteve në Ohër në këtë valë të dytë, është rritur.
"Kjo është si pasojë e më shumë faktorëve, moshës së pacientëve që testohen e kanë situatë klinike të rëndë apo mesatarisht të rëndë por edhe për shkak të sëmundjeve shoqëruese prej të cilave kanë vuajtur gjatë jetës.", tha Toçkov.
Që nga fillimi i pandemisë deri në fundjavën e kaluar, në Strugë jetën e kanë humbur 85 persona, ndërsa në Ohër 49.
ILMIJE ZHAKU
