24 të vdekur në 24 ditë: Kryetari i Prilepit kërkon karantinimin e qytetit
Rritja dramatike e numrit të të infektuarve, pacientëve të shtruar në spital dhe të vdekur nga Kovid-19 në Prilep...

Rritja dramatike e numrit të të infektuarve, pacientëve të shtruar në spital dhe të vdekur nga Kovid-19 në Prilep, ka shtyrë kryetarin e Komunës Ilija Jovanoski të kërkojë që qeveria të vendosë për futjen e tërësishme të këtij qyteti në karantinë.
Në 24 ditë Prilepi regjistroi 24 viktima . Sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik vdekshmëria në Prilep është 4.5 përqind, duke e bërë këtë qytet së bashku me Strugën, Dibrën dhe Manastirin të kryesojë listën e qyteteve për sa i përket numrit të vdekjeve nga Sars Cov2.
Edhe numri i të infektuarve të rinj është tepër i lartë ditëve të fundit. 500 raste të reja në 9 ditë, apo 1000 raste aktive, në një kohë kur spitali i qytetit ka një kapacitet prej 110 shtretërish të cilat po mbushen me shpejtësi.
Edhe pse aktualisht ka vende të lira, situata bën që autoritetet të japin alarmin, pasi me ritme të tilla, shumë shpejt spitali nuk do ketë më vende. Spitali përballet edhe me mungesë të mjekëve.
Aktualisht, një infermiere kujdeset për 15 deri në 20 pacientë. Në shërbim të përballjes me pacientët Covid, tashmë të pothuajse të gjitha repartet janë adaptuar për të infektuarit e rinj e përvec repartit infektiv, në reparte Covid janë kthyer edhe ato të Veshit, Hundës dhe Grykës, Oftalmologjisë dhe një pjesë e Gjinekologjisë.
Komisioni për Sëmundje Infektive do të duhet të vendosë të Premten nëse do të ketë një shtrëngim të masave në Prilep për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
FLUTURA LATIFI TOPOJANI
